Pagat e personave të pavaksinuar kundër COVID-19 së shpejti nuk do të mbulohen më në Gjermani gjatë periudhave të karantinës, njoftoi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Vendimi, i negociuar me landet, do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. “Ndonjëherë thuhet se është presion ndaj të pavaksinuarve, por unë mendoj se duhet parë ndryshe, është çështje drejtësie”, shpjegoi Spahn në një konferencë për shtyp. Deri më tani, të karantinuarit për shkak të COVID-19 paguheshin për të kompensuar humbjen e të ardhurave të tyre.
Sidoqoftë, disa lande tashmë i kanë dhënë fund kësaj praktike. “Ata që mbrojnë veten dhe janë vaksinuar me të drejtë bëjnë pyetjen e justifikuar: Pse të paguhet dikush që ka qenë me pushime në një zonë rreziku dhe që, ngaqë nuk është vaksinuar, duhet të bëjë karantinë?”, vuri në dukje ministri.
“Kur njerëzit thonë se është vendimi i tyre personal i lirë dhe vendosin ata në liri të plotë të vaksinohen apo jo, ai vendim duhet të vijë gjithashtu me përgjegjësinë për të mbartur pasojat financiare”, argumentoi ai. Pothuajse gjysma e të anketuarve (48 për qind) janë kundër kësaj mbështetjeje, kundrejt 43 për qind që janë pro, sipas një sondazhi të Yougov. Më shumë se 52 milionë gjermanë (63,4 për qind e popullsisë) kanë marrë dy doza vaksine antiCOVID-19 deri më tani.