Taulant Balla rezultoi si deputeti më i votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, por në mbledhjen e sotme të Asamblesë së PS, nuk mori asnjë detyrë ministrore. Taulant Balla do të vijojë të mbajë vetëm detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të PS, pasi Kryeministri Rama i hoqi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Kryeministri Rama tha se për shkak të shtimit të punëve dhe  objektivave brenda partisë, është dashur që këto dy funksione të kryhen nga dy udhëheqës.

“Taulanti është kryetari i grupit parlamentar të PS. Është një detyrëq që ka ngarkesë të madhe dhe ashtu siç duhet bërë gjatë këtij mandati do ketë dhe ngarkesë më të madh. E treta lidhet me faktin që kemi një objektiv të ri për partinë, transformimi i partive politike. Partitë politike shqiptare nuk mund të vazhdojnë kështu. Në duhet një Sekretar i Përgjithshëm që të jetë non stop i angazhuar këtu. Është rritur shumë volumi i punës për këto dy pozicione”.

Ndërsa i pyetur për “senatorët” e Partisë Socialiste që shumica e tyre u lanë jashtë qeverisë, Rama tha se në poste ministrore janë vendosur ata persona që në këtë moment konsiderohen të duhurit. “Përsa i përket senatorëve, nuk ka senatorë dhe nuk kategori të tilla. Këto janë kategori gazetareske. Në skuadrën e qeverisë janë vendosur njerëzit që sipas meje janë të duhurit në këtë moment për të bërë punën e duhur”.