Nga Alba Malltezi/
Një tjetër grua, nënë, vajzë, motër u vra sot nga ish-bashkëshorti i saj, ndërkohë që dhuna vazhdon të jetë mbizotëruese në shoqërinë tonë kudo, në çdo formë, derisa merr rrugën e shfaqjes ekstreme.
Sa jemi dakord, në harmoni me njëri-tjetrin, jemi më të mirët. Në kafe bashkë, në punë bashkë, në familje bashkë, në argetime bashkë. Ku ka si ne! Problemi nis me të parin dhe të vetmin mendim ndryshe. Të pamësuar dhe të paedukur t’i zgjidhim çështjet me dialog, apo të privuar e mosbesues të shkojmë në gjykatë, për shumë nga ne, ringjet janë bërë buka e përditshme. Sa keq! Për disa nga ne, nxitja e ringjeve është bërë një sport për të fituar diçka, pa ditur se humbim gjithëçka.
Elitat, të cilat duhet të ishin emancipuar dhe përmisuar në gjithë këto vite të vështira postdiktature, janë ta parat që vazhdojnë të tregojnë forcën në publik: diskurs i dhunshëm, veprime të dhunshme ndajt kujtdo që mendon ndryshe: Unë nuk dorëzohem kurrë, unë jam më i forti, unë jam më i miri, unë jam më i drejti, unë jam… unë jam! Pak gjë ka ndryshuar e pakkush sheh veten në pasqyrë të dallojë e të kuptojë brishtësinë, gabimin, të reflektojë e të rinisë jetën edhe pas një pranimi faji apo tërheqje qëndrimi.
Luajmë më dhunën, e ushqejmë atë, e evokojmë në format nga më të ndryshmet duke nisur nga politika, media, familja, me bullizëm në shkollë, pa qenë aspak të ndërgjegjshëm se është një energji që prodhohet dhe Nuk zhduket. Dhuna qëndron mbi ne si një re e zezë dhe e grumbulluar, e gatshme të shkarkohet mbi atë që është më i dobët e që më shumë se kushdo tjetër nuk mbrohet dot, prandaj rrezikon.
Uni i jashtëzakonshëm ka krijuar njerëz-nyje. Nuk ka asgjë që i shkrin, i ëmbëlson, i bën të logjikojnë e të jenë të edukuar. Uni i jashtëzakonshëm ka krijuar njerëz-shkëmb, që në mos një herë, herën tjetër, do të dalë dikush tjetër më i fortë, që me një varre në dorë do t’i thërrmojë. Do të kishte një gjë të vetme, që duket se në shumë raste mungon në krijimin e njerëzve-nyje: Eshtë dashuria, e cila është gjithashtu një energji e grumbulluar në një re që qëndron mbi ne dhe shfaqet vetëm nëse shumë prej nesh e kërkojnë!