Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, drejtuesit e shërbimit të kardiokirurgjisë, ekspertët e shëndetit publik dhe strukturave të kujdesit parësor si dhe përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, u kanë bërë apel qytetarëve për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare përmes jetesës së shëndetshme dhe kontrolleve periodike tek mjeku.
Duke folur për një nga programet parandaluese, që është Kontrolli Mjekësor Bazë, Ministrja Manastirliu tha: “Jam e kënaqur të them që përgjatë këtij muaji më shumë se 36 mijë qytetarë u janë drejtuar qendrave shëndetësore dhe kanë kryer kontrollin mjekësor bazë. Kjo është një e dhënë absolutisht shumë e mirë, e cila në kushtet e rikthimit pas 17 muajve të këtij programi, tregon që jo vetëm qytetarët janë të ndërgjegjësuar për të kryer kontrollin mjekësor bazë në mënyrë të përvitshme, një kontroll falas i ofruar dhe mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, por edhe për efektin që ka ky program në uljen e barrës së sëmundshmërisë së sëmundjeve kardiovaskulare”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbulimin shëndetësor për sëmundjet kardiovaskulare, Ministrja e Shëndetësië u shpreh:
“Janë më shumë se 6 mijë ndërhyrje invasive dhe kardiokirurgjikale që kryhen në sistemin tonë publik, por edhe në sistemin jopublik të financuar me paratë publike dhe kjo është e rëndësishme. Sepse ne sot, dhe këtë e them me krenari, mbulojmë më shumë se 85% të nevojave në sistemin tonë publik. Kjo do të thotë, para të kursyera nga paratë e qytetarëve dhe këtë mundësi për trajtim e kanë në sistemin tonë publik, me një efiçentë por mbi të gjitha me një profesionalizëm”, tha Manastirliu.
Duke folur për investimet, Manastirliu deklaroi se shumë shpejt do vihet plotësisht në funksion qendra e dytë e kardiokirurgjisë në vend në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Me kthimin në normalitet të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, edhe aty laboratori i hemodinamikës funksionon shumë mirë, për të gjitha ato nivele të diagnostikës që ai kryen për sëmundjet kardiovaksulare. E reja është që tashmë ne përgatitemi për ta vënë në efiçencë dhe qendrën e dytë të kardiokirurgjisë në vend, që është pikërisht në këtë spital”, u shpreh Manastirliu.
Prof. Artan Goda, Shefi i Shërbimi i Kardiologjisë I në QSUT tha se në vitet e fundit janë bërë hapa para për përmirësimin e shërbimit të të sëmurëve kardiak.
“Vëmendja nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut nuk duhet larguar, sepse është vrasësi më i madh i shoqërive modern, më shumë se Covid 19. 40% e vdekshmërisë së popullatës moderne në vendin tonë dhe në Botë vdesin nga sëmundjet e zemrës. Ne ndihemi krenar që kemi bërë shumë për të parandaluar këto vdekje dhe përmirësuar cilësinë e të sëmurëve kardiak”, tha Goda.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri dr. Gerald Rockenschaub apeloi për jetesë të shëndetshme dhe kryerje të kontrolleve në kohë. “Eshtë shumë e rëndësishme të bëjmë kujdes në ushqimet që konsumojmë dhe të ndjekim kontrolle të vazhdueshme të zemrës”, tha Rockenschaub.
Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP, numri i vizitave dhe shtrimeve spitalore që lidhen me sëmundjet e zemrës ka ardhur në rritje, ndërsa vdekshmëria e konsideruar e parakohshme (për grupmoshat 30-69 vjeç) nga këto sëmundje, ka filluar qartësisht të ulet gjatë 5 vjeçarit të fundit.
Trajtimi i sëmundjeve kardiovaskulare nëpërmjet terapive të mjekimit ambulator zë 23% të buxhetit të barnave të rimbursueshme. Janë më shumë se 100 milion dollarë të dedikuara në total në skemën e rimbursimit të barnave, prej tyre, më shumë se 23 milion dollarë financohen për mbulimin falas me terapi mjekimi ambulatore për sëmundjet kardiovaskulare dhe ato hipertensive.