Nga Mero Baze/Sali Berisha po përpiqet të fshehë “kryengritjen” e tij kundër SHBA si një lëvizje kundër Lulzim Bashës. E gjithë lëvizja e paralajmëruar prej tij, përveçse është e pabazuar në asnjë statut të PD, madje as të kohës së Berishës, është e gjitha një përpjekje për të maskuar qëndrimin kundër SHBA, si qëndrim kundër Lulzim Bashës.

Lulzim Basha nuk ka bërë ndonjë akt politik që përjashton Berishën nga Partia Demokratike. Sali Berisha është anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Partisë Demokratike. Lulzim Basha thjesht po refuzon kërkesën e deputetit Sali Berisha për t’iu bashkëngjitur grupit parlamentar të PD, duke zbatuar kështu kërkesën e panegociueshme të Departamentit Amerikan të Shtetit, që ai të mos jetë pjesë e PD në Parlament.

Beteja e vërtetë e Sali Berishës, do të ishte beteja për t’u futur në grup parlamentar dhe beteja për të diskredituar Lulzim Bashën si “ushtar” i SHBA.

Ai nuk po bën asnjë prej këtyre betejave. Përkundrazi, ai po përpiqet të krijojë një gjendje të gënjeshtër të konfliktit të tij me Lulzim Bashën, duke e akuzuar atë se ka shkelur statutin që e ka përjashtuar nga grupi parlamentarë i PD.

Lulzim Basha ka mbështetur në emër të Partisë Demokratike, qëndrimin e SHBA kundër Sali Berishës. Luzlim Basha e ka si kryetar të drejtën e përfaqësimit të Partisë Demokratike për të marrë qëndrime të rëndësishme politike, siç është qëndrimi pro apo kundër SHBA.

Ai nuk mund të fusë PD-në në referendum pro apo kundër SHBA. Në Ballkan këtë e ka bërë vetëm Sllobodan Milosheviçi, kur SHBA i kërkonte të ndërpriste ofensivën ushtarake në Kosovë, përndryshe SHBA do të ndërhynte ushtarakisht. Ai bëri referendum dhe e “fitoi” 93 për qind, por pas disa muajsh dorëzoi Kosovën dhe pas një viti shkoi e vdiq në Hagë.

Në këtë pikë Lulzim Basha nuk ka bërë ndonjë lëvizje që ka lidhje me statutin. Aleati më i madh strategjik i Shqiperise, por dhe i PD-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar që për të ruajtur aleancën e tyre me PD, duhet të mos kishte pjesë të grupit parlamentar Sali Berishën, dhe ai ka përfaqësuar PD-në në atë vendim që ka marrë.

Politikisht, për turp të vet, Basha nuk ka bërë asgjë kundër Berishës, madje as ka guxuar t’i thotë qartë që do zgjedhë SHBA-në në vend të tij, por këto janë veset e tij. Akti i tij politik për të mbajtur PD-në në anën e SHBA, është një akt historik, i paqortueshëm dhe që do t’i vlejë PD-së në të ardhmen, më shumë se sa i vlen vetë Lulzim Basha.

Tani Lulzim Basha nuk duhet t’i shmanget këtij debati. As ai, as mbështetësit e tij. Ata duhet t’ia thonë hapur Sali Berishës, se nëse vendimi i tij, në mbështetje të qëndrimit amerikan ndaj Berishës, i duket antistatutor, atëherë Sali Berisha duhet të kërkojë shkarkimin e Lulzim Bashës si një njeri që e ka keqpërfaqësuar PD-në, duke marrë anën e SHBA e jo anën e Sali Berishës.

Por kjo duhet bërë sipas rregullave të statutit dhe procedurave që parashikon statuti, dhe jo të shpikë lëvizje dhe procedura antistatutore, pasi këto dëmtojnë partinë dhe rrezikojnë opozitarizmin si institucion.

Statuti i PD nuk përmban dispozita për referendumet. Për të korrigjuar shkeljen e procedurës nga Basha, Sali Berisha po shpik një shkelje tjetër procedurale. Pse nuk e shtron çështjen e ti në grup parlamentar? Pse nuk kërkon vendim nga grupi? Me sa duket tek grupi parlamentar nuk ka besim, se dyshon se ia “kap” SHBA, siç ja kapi tek reforma për drejtësi.

Me referendumin Berisha nuk synon të vërë turmën kundër Lulit, pasi Luli as nuk e njeh fare si lëvizje, por po tenton të lëshojë turmën kundër SHBA, si një Haxhi Qamil i shekullit 21, për të përsëritur historinë e tij tashmë në mënyrë komike.

Përpjekja e tij për ta maskuar lëvizjen kundër SHBA si lëvizje kundër Lulzim Bashës, është banale dhe nuk e ha askush, pasi të gjithë e dinë arsyen përse ai është sot në këtë hall. Mbi të gjitha nuk ia hedh dot SHBA-së.

Akuza e vetme që vlen për Lulzim Bashën është se deri me 9 shtator ka qene ushtar i Berishes e pas 9 shtatorit ka vepruar si ushtar i SHBA. Për këtë dhe mund ta ndëshkosh apo dhe vrasësh, siç e ka zakon, por nuk do të thotë se do të bësh politikë më në Shqipëri. Dhe siç do të thoshte vetë Sali Berisha në këtë rast: “Mos i shërbe deri ne ketë pike Edi Ramës”. Se as ai nuk e do të shkrirë fare PD-në.