Eksperti i Insititutit të Shëndetit Publik, Prof. Alban Ylli ka bërë me dije se sipas të dhënave vitet e fundit ka ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës.
“Në fushën e sëmundjeve të zemrës Shqipëria është duke korrur disa fryte të punëve të mëdha që janë bërë në vitet e fundit, sidomos në dekadën e fundit. Ne vërejmë në mënyrë të qëndrueshme një rënie të vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës sidomos për personat 30-70 vjeç, ato që ne i quajmë si vdekje të parandalueshme. Nëse do të shmangim efektin e moshës, kjo rënie vdekshmërie është thuajse 25%, pra ¼ e tyre pothuajse është kursyer”, deklaroi prof.Alban Ylli.
Prof.Ylli nenvizon se përmirësimi i sektorit të Shëndetësisë në Shqipëri ka sjellë efekte në uljen e vdekshmërisë dhe rritje të ndërgjegjësimit tek qytetarët për kontrollin e shëndetit.
“Duhanpirja tek adultët është gjithmonë e në rënië, sidomos tek meshkujt adult është në rënie, ne kemi gjithmonë e më shumë persona që janë të ndërgjegjshëm që kanë hipertension, diabet dhe kujdesen për shëndetin e tyre. Ne kemi më shumë persona të cilët bëjnë ekzaminime për sëmundjet ishemike, ndërkohë që infarti miokardit nuk është rritur shumë. Pra kemi disa fakte të cilat dëshmojnë që përmirësimet e Shëndetësisë në Shqipëri janë duke sjellë efekte në uljen e vdekshmërisë, pra në mënyrë të qartë Shqipëria ka hyrë në atë epokë në të cilën shumë vende perëndimore kanë hyrë disa dekada më parë që duket do të jetë e pakthyeshme, të uljes së qëndrueshme të rriskut dhe sidomos vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës”, theksoi prof.Ylli.
Duke vënë theksin tek vaksinimi, eksperti i ISHP tha se vaksinimi masiv është mënyra më efikase në betejën ndaj COVID19.