Për Flamur Nokën, një prej deputetëve të Partisë Demokratike që i është bashkuar lëvizjes së Ish-liderit Sali Berisha kundër kryetarit të partisë, Lulzim Basha është ilegjitim.
“Kryetari duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturit proamerikanizëm të kryetarit dhe të shpallë anëtarësinë antiamerikane. I bëra me dije se Kongresi i PD do të mblidhet dhe Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të SHBA por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD i cili tashmë është minorancë, ilegjitim dhe nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së anëtarëve të PD. I bëra me dije se ky nuk do të jetë Kuvend kundër SHBA-së por kundër tij. Gjithçka është një proces dhe askush nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD për tu shprehur. Zëri i çdo demokrati do të dëgjohet, vota e çdo demokrati duhet të lexohet”, tha Noka.
I pyetur nëse ka frikë nga ‘hakmarrja e Bashës’, Noka tha se kjo nuk është një lëvizje për fatin e tij.
“Unë kam 30 vite në këtë parti. Nëse nuk do kisha hyrë këtu do të isha një mjek dhe nuk do të kisha asnjë kokëçarje, kam sakrifikuar këto 30 vite! Ajo që më dhëmb mua është fati i Partisë Demokratike. Lulzim, Basha me atë vendim i dha një goditje fatale PD-së dhe i vetmi njeri i gëzuar nga ky vendim është Edi Rama. Ndaj nuk ka të bëjë me karrierën individuale të Flamur Nokës”, tha ai, duke nënvizuar se asnjë përplasje dhe asnjë përçarje nuk do të ketë.
“Shumica absolute janë kundër vendimit të kryetarit të partisë, kjo ishte arsyeja pse ai nuk u konsultua me institucionet por pati një vendimmarrje individuale. Kushdo që ka dalë në krah të Bashës ka qenë i detyruar, ka dalë i zverdhur”, tha Flamur Noka, i cili në fund nuk harroi të nënvizojë se sipas tij ambasada e SHBA gjatë gjithë kësaj kohe ka mbështetur Edi Ramën dhe jo Lulzim Bashën.