“Atalanta më pak brilante? Ishte një ndeshje e mirë edhe falë Sassuolos, loja e hapur dhe në pjesën e dytë pësuam, ndërsa në pjesën e parë mund të kishim bërë më shumë. Në fund, rezultati është i drejtë”. Kështu, Gian Piero Gasperini foli në “Sky Sport”.
Duke i kërkuar objektivin sezonal, trajneri i njohur italian nuk u përgjigj drejtpërdrejt: “Ne duhet të kuptojmë se kush jemi. Çfarë iu thashë djemve në fillim të sezonit? Ajo që kam thënë gjithmonë, qëllimi fillestar nuk është kurrë tituli apo Evropa, por të luajmë për të kuptuar se kush jemi pasi përballemi me të tjerët dhe të shohim sa konkurrues jemi.
Shumë skuadra janë forcuar dhe mund të marrin pikë nga të gjithë, do të jetë një kampionat shumë i ekuilibruar. Ne tani nuk e kemi shtatin e një skuadre që mund të arrijë në “top 4”, por mund t’ia dalim duke përmirësuar teknikën. Ekipi ka qenë i fortë, por që të jemi konkurrues do të duhet të jemi më të mirë nga pikëpamja teknike”.
Ekipin e tij e presin tri ndeshje të forta radhazi; me Interin, Milanin dhe Young Boys: “Sa pikë iu kërkoj djemve në këto tri ndeshje? Pragu është performanca, Milani është bërë shumë i fortë dhe së bashku me Napolin e Interin mund të konkurojnë për titull. Do të jetë një javë vendimtare vetëm në kuptimin se çfarë mund të bëjmë ndaj favoritëve, jo për pikët e mbledhura”.