Gjeneralmajor Joseph Jarrard, zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së SHBA në Evropë dhe Afrikë, vizitoi Shqipërinë këtë javë dhe u takua me Kryeministrin shqiptar, ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Lajmi për vizitën e ushtarakut të lartë amerikan u bë i ditur nga Ambasada amerikane në Tiranë e cila dha edhe detaje.

“Gjenerali Jarrard falënderoi Shqipërinë për mikpritjen e Stërvitjes Defender 21 dhe theksoi suksesin historik të stërvitjes. Duke u mbështetur në këtë sukses, gjenerali Jarrard diskutoi mbi rolin e Shqipërisë në stërvitjet e ardhshme të serisë Defender dhe pohoi sërish marrëdhënien e fortë midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, shprehet Ambasada amerikane.

Në fund, sipas Ambasadës amerikane, gjenerali Jarrard falënderoi Kryeministrin Rama për udhëheqjen e tij në çështjen e shpërnguljes së afganëve në Shqipëri.