Nga Jakin Marena
Më 14 shtator Kancelarja Angela Merkel do zhvillojë vizitën e tretë të një kancelari gjerman në Shqipëri dhe vizitën e dytë personale të saj. Merkel do takojë krerët e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin shqiptar Tiranë, ku përmes një darke pune, do të japë lamtumirën si kancelare në raport me aleatët por dhe me “krijesën” e saj për një Ballkan të Bashkuar apo siç e quajnë tashmë “Ballkani i Hapur”.Por si në rastin e turit ballkanik të vitit 2015, Merkel më parë do të qëndrojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e kryeministrin serb, e më pas duke shmangur Sarajevën do të udhëtojë drejt Tiranës ku mikpritësi është Edi Rama. Ndërsa zëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz përmendi një element shtesë të këtij turi ballkanik, teksa lajmëroi se Kancelarja do takojë në Beograd edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që në Tiranë, përveç kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ajo do të takojë në biseda biletarale edhe krerët e qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Merkel do të ketë në fokus të takimeve diskutimin për për Tregun e Përbashkët Rajonal, ku deri më tani përveç Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që i janë bashkuar kësaj iniciative përmes “Ballkanit të Hapur”, vendet e tjera si Mali i Zi, Bosnje-Herzegovina dhe Kosova e kanë refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes, zanafilla e të cilës ishte në Berlin, me iniciatore vetë kancelaren gjermane. Dhe si për të paralajmëruar theksin e bisedës me 6 krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, zëdhënësja e Merkel kujtoi se të gjitha vendet e rajonit janë zotuar në konferencën e tyre të fundit virtuale të drejtuar nga kancelarja Merkel, më 5 korrik të këtij viti se do të angazhohen për implementimin e saj. Pra parashikohet një “dush” i ftohtë për krerët e qeverive të Malit të Zi, Bosnje-Herzegovinës dhe Kosovës për refuzimin e pjesëmarrjes në iniciativën e “Ballkanit të Hapur” që është një iniciativë e vetë Merkel dhe që është vijim i samitit të Berlinit për një Ballkan pa kufij për lëvizjen e mallrave, njerëzve, teknologjisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat!
Por vizita e kancelares gjermane në Shqipëri me sa duket nuk i shpëton simbolikave të saj. Eshtë parashikuar që Merkel të zbresë në Rinas më 14 shtator, pikërisht në ditën kur 23 vite më parë u organizua një grusht shteti nga opozita e atëhershme e drejtuar nga Sali Berisha, u pushtuan kryeministria dhe Televizioni Shtetëror, dhe vetëm ndërhyrja ndërkombëtare dhe kërcënimi se nuk njeh një qeveri të dalë nga dhuna dhe grushti i shtetit e ndaloi intervenimin e mëtejshëm të forcave të dhunshme për të marrë të gjitha institucionet. Lajmërimi i vizitës dhe publikimit të axhendës së takimeve në Tiranë, ishte një sinjal i qartë për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, që të reflektojnë ndaj ultimatumit amerikan për t’u “ndarë” përfundimisht nga njëri tjetri dhe ish kryeministri të mos jetë më pjesë e Kuvendit dhe e lidershipit të PD.
Por teksa sheh më vëmendjen axhendën e takimeve të Merkel gjatë vizitës së dytë në Tiranë më 14 shtator vihet re me sy të lirë se jashtë axhendës është lënë Presidenti i Republikës Ilir Meta por dhe kryetari i PD Lulzim Basha.Nëse Basha po bën përpjekje maksimale për të siguruar një shtrëngim duarsh qoftë dhe të përkohshëm me kancelaren gjermane, u takuar dhe me ambasadorin gjerman, aq më tepër që deri më tani një të punësuar pranë vetes e ka cilësuar deri vonë si këshilltar të Merkel, Ilir Meta e ka për herë të dytë lënien jashtë axhendës së takimeve nga ana e numrit një të qeverisë gjermane. Plot gjashtë vite më parë, saktësisht më 8 korrik 2015, kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi Shqipërinë, pas takimeve të realizuara në Beograd dhe Sarajevë me drejtuesit më të lartë respektivë shtetërorë atje.
Gjatë qëndrimit katër orësh në Shqipëri, Merkel u takua me në fillim me presidentin e asaj kohe Bujar Nishani, më pas me kryeministrin Edi Rama me të cilin dha dhe një konferencë të përbashkët shtypi dhe më pas mori pjesë në një konferencë ekonomike tek “Tirana Biznes Park”, një investim tërësisht gjerman që u përurua disa ditë përpara se kancelarja të vinte në Shqipëri, nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Pra u shmang një takim me Ilir Metën, kreun e Kuvendit të asaj kohe në koalicion me Ramën, dhe me kreun e opozitës së asaj kohe dhe që vijon dhe sot e kësaj dite, Lulzim Basha. Shpjegimi i i dhënë në mënyrë zyrtare në atë kohë për shmangien e ish kreut të Kuvendit dhe të kreut të opozitës, ishte për shkak të kohës së limituar prej 4 orësh të vizitës së Merkel në Tiranë. Por me sa duket “karantimi” gjerman i Ilir Metës kishte filluar që në mesin e vitit 2015, dhe pavarësisht vizitave dhe takimeve të sponsorizuara në një land gjerman, sa herë që ngelej bosh me vizita apo sa herë që afrohej 21 janari, gjermanët ia kishin hequr “vizën” Metës. Acarimi i gjuhës së Ilir Metës ndaj ndërkombëtarëve në atë kohë do të përmblidhej në sulmin e tij ndaj Reformës në Drejtësi që startoi një vit më vonë, kërcënimin e Ramës me dalje nga koalicioni dhe rrëzimin e qeverisë së PS-LSI, sulmin ndaj bashkëpunimit rajonal, Samitit të Berlinit dhe “Ballkanit të Hapur” më vonë e deri tek idetë “sovraniste” të Metës dhe sulmi pa dallim ndaj SHBA dhe BE që e nxorën përfundimisht nga politika. Tashmë është një president i shkarkuar nga Kuvendi, i abandanuar nga SHBA dhe në pritje të largimit përfundimtar nga Presidenca me vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e refuzon ta takojë dhe kancelarja gjermane në largim, Merkel. Që ia ka hequr “vizën” dhe Gjermania duket qartë nga axhenda e vizitës së Merkel në Tiranë me 14 shtator, ku Presidenti i Republikës nuk figuron në asnjë cep të saj. Nëse para 6 viteve kancelarja gjermane shmangu në takim ish kreun e Kuvendit Meta dhe takoi ish presidentin Nishani, këtë radhë shmangu vetë kreun e shtetit. Pra arsyeja e refuzimit është Ilir Meta. Bashën nuk e llogarit njeri në këtë sferë, pasi për shkak se pas tij ka “tutorin” Berisha, i bie që ta bëjnë takimin dysh dhe të merret “leje” nga “babai” politik.
Ilir Meta po përpiqet me të gjitha mënyrat që të shtrëngojë duart me Merkel në këtë vizitë, dhe për këtë arsye ka angazhuar gjithë grupin e vet të këshilltarëve dhe miqve brenda dhe jashtë vendit, që të paktën të organizohet darka e punës e kancelares me 6 kryetaret e qeverive të rajonit në Pallatin e Brigadave, godinë që e cilëson si shtëpinë e vet deri sa të dalë nga Presidenca. Deri më tani ende nuk është vendosur se ku do të zhvillohet darka e punës, por dhe nëse do të realizohet në Pallatin e Brigadave, mikpritësi është kryeministri Edi Rama dhe jo Ilir Meta. Dhe Rama as e çon nëpër mend që t’ia japë rolin e nikoqirit të kësaj darke pune kundërshtarit më të madh të tij politik, Ilir Metës. Çka i heq Presidentit dhe mundësinë e një shtrëngimi duarsh rastësor nbëpër koridoret e Pallatit të Brigadave me kancelaren gjermane.
Gjithsesi të presim deri më 14 shtator, por zyrtarisht Merkel e ka refuzuar takimin me Metën si President i Republikës, duke dhënë një sinjal të qartë të izolimit gjerman për kreun tonë të shtetit. Politika bëhet shpesh dhe me simbolika, dhe mesazhet për treshen Berisha, Basha e Meta janë të qarta: as vendi lider i BE nuk i pranon politikat kundërshtuese rajonale që cënojnë fqinjësinë e mirë, dhe për më tepër të sulmohen iniciativat rajonale që janë “krijesa” të veta. Praktikisht kemi një President të abandanuar nga SHBA dhe vendi lider i BE, bashkë me vendet e tjera anëtare të këtij organizimi politik, dhe një kryetar opozite në provë, për të parë sa i gatshëm është të përfillë mesazhet e aleatëve të mëdhenj.