Nga: Elton Arbana, Kryetar i Bashkisë Shijak

Në rininë e hershme kur mendojmë për hapat që duhet të hedhim për të ardhmen kërkojmë të kapemi pas modeleve të suksesshme. Mua gjithmonë më kanë frymëzuar liderët. Kur u ktheva në Shqipëri, pas studimeve dhe hapa biznesin tim kërkoja të zgjeroja kontributin përtej familjes. Doja të jepja më shumë për komunitetin e Shijakut. Në 2009 sytë dhe vëmendja ime u përqendruan te Edi Rama dhe modeli që ka përcjellë si lider. Frymëzimi që më ka dhënë figura e tij politike dhe njerëzore ishte arsyeja që u futa në PS. Zgjodha Partinë Socialiste për shkak të liderit Rama. Të gjithë të rinjtë kanë nevojë të kenë një model suksesi, pavarësisht fushës që i përkasin. Kjo na qartëson më tepër shkallët që duhet të ngjisim një e nga një, me forcë, këmbëngulje, besim te vetja dhe pa u dorëzuar nga asnjë moment i vështirë.

Unë u njoha dhe vlerësova programin e Partisë Socialiste, vizionin e liderit Rama, të cilit për çdo vendim që ka marrë, koha i ka dhënë gjithmonë të drejtë. Në çdo vendim, me intuitë Kryeministri Rama është “10 hapa përpara” duke qenë një lider i lindur. Tërmeti na bëri të kuptojmë vlerën e mbështetjes njerëzore. Ende kam përpara syve shikimin tejet njerëzor të Kryeministrit kur takoi nga afër familjet që i shpëtuan tërmetit. Dhe zgjidhja vjen kur ka përkushtim. Vetëm një lider si Rama mund të kalonte çdo pritshmëri duke bërë për vete pothuajse të gjithë liderat botërorë për të ndihmuar Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve.

Ky është thelbi i figurës së tij politike dhe frymëzimit që jep, për ata që kanë fatin të punojnë nga afër me Kryeministrin. Si kryetar i bashkisë Shijak kur mu besua kjo detyrë qëllimi im i vetëm ishte të shpërbleja me punën dhe imenjimin tim maksimal besimin që mu dha për të drejtuar qytetin e Shijakut, vendit tim të zemrës. Për këtë, në çdo hap që hedh në mendje kam Shijakun që e konsideroj si familjen time të madhe!