Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “mazhoranca është e gatshme të ulet me opozitën në komisionet bipartizane si për Kodin Zgjedhor, edhe nëse duhet të rishikohet Reforma Territoriale”.
I ftuar në një studio televizive, Gjiknuri tha se “ne kemi detyrimin si mazhorancë për t’u ulur e diskutuar me opozitën, por nuk zhvillohen asnjëherë negociatat që secili të vijë me listën e tij të dëshirave”.
“Ne jemi të gatshëm, nëse vjen një kërkesë nga opozita për ngritjen e një komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore apo Reformën Territoriale, edhe pse sipas nesh kjo reformë përgjithësisht është zhvilluar mirë. Ndërkohë reforma elektorale ka rekomandime të OSBE/ODIHR-it për t’u adresuar. Ne jemi të gatshëm ta ngremë, por mbi parimin e komisioneve bipartizane”, tha ai.
Sipas Gjiknurit, “opozita nuk mund të vijë të ulet me kushte në komisione”.
“Le të vijnë në komisionin e Reformës Zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por nëse kërkojnë të ndryshojnë Kushtetutën kjo kërkon komision më të gjerë me pjesëmarrjen e konstitucionalistëve. Është proces shumë më i komplikuar sesa duket”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se gjithsesi eksperienca për Reformën Elektorale është e mirë, pasi të gjitha reformat janë bërë me konsensus.
Ndërkohë, Gjiknuri theksoi se Reforma në Drejtësi është përtej palëve dhe nuk është ligj i karakterit politik.
Lidhur me kërkesën për shtyrjen e afateve të institucioneve të Vetingut, Gjiknuri tha se kjo është një çështje që ka dalë për shkak të ecurisë së ngadaltë të një procesi që shkoi më gjatë.
“Reforma në Drejtësi është ligj jo i karakterit të mirëfilltë politik. Drejtësia është mbi palët dhe duhet të ndjekë një rrugë të mirë, të nisur me mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë”, tha ai.