Në kuadër të turit të prezantimeve të drejtuesve të rinj të qarqeve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka prezatuar Edona Bilalin si drejtuese të qarkut Shkodër.

Gjatë mbledhjes Gjiknuri u shpreh se është koha për të bërë një analizë të thellë dhe të saktë të rezultatit zgjedhor në të gjithë vendin, e veçanërisht në Shkodër dhe se harmonizimi i tre komponentëve kryesorë, siç janë partia deputetët dhe pushteti vendor është kyçi për arritjen e objektivave në zgjedhjet e ardhshme.

Pas përfundimit të takimit, interesit të medieve Gjiknuri u shpreh se, “jam i bindur se me eksperiencën e krijuar këtë fushatë, Edona do dijë të promovojë vlerat e çdo shkodrani”.

“Partia Socialiste ka hyrë në një proces analize elektorale që do t’i shërbejë riorganizimit të familjes sonë politike. Ne jemi një parti që nuk presim zgjedhjet, por gjithë kësaj kohe do i nënshtrohemi riorganizimit për të qenë gati për zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme”, tha Gjiknuri.

Ndërsa drejtuesja politike e qarkut të Shkodrës, Edona Bilali gjatë prononcimit të sa për mediet u shpreh se, “është përgjegjësi shume e madhe për mua të drejtoj Qarkun e Shkodrës. Është një sfidë të cilën duhet ta përballojmë. Dera e Partisë Socialiste në Shkodër është gjithmonë e hapur. Ftoj këdo të ri që kërkon të kontribuojë për qytetin e Shkodrës, të na bashkohet”.

Në këtë prezantim Sekretari i Përgjithshëm shoqërohej dhe nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi.

Gjatë fjalës së tij Klosi u shpreh se në Shkodër duhet të punojmë shumë me qytetin.

“Tani kemi dhe eksperiencën e nevojshme dhe qartësinë se ku është gara dhe si fitohet. Dekoratat janë vetëm një ditë, 26 ishin këtë herë, të nesërmen filloi puna. Si Sekretariat do përpiqemi të bëjmë një analizë të plotë, për gjithë Shqipërinë dhe mbi atë analizë të punojmë për garën e ardhshme elektorale”, tha Klosi.