Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit rihapi sot dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së njohur shqiptare, Ermonela Jaho.
Në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe përfaqësues të lartë të shtetit, trupit diplomatik, miqve të TKOB, etj.
Pas 5 vite mbyllje për shkak të rikonstruksionit, duke filluar nga sot, TKOBAP do të hapet për publikun nëpërmjet shtatë shfaqjeve premierë.
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.
TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.