Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5 në nyjen ‘Shqiponja’ dhe lidhja e drejtpërdrejtë e autostradës me hyrjen për në qendër. Me hapjen e tunelit numër 5 në nyjen ‘Shqiponja’, bëhen funksional tre tunele, duke stabilizuar trafikun në mënyrë përfundimtare.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur një ditë më parë gjatë inspektimit të punimeve në këtë kantier se po punohet me detajet e fundit, për t’i dhënë Tiranës një hyrje dinjitoze, e cila i jep zgjidhje trafikut të automjeteve si dhe lehtëson lëvizjen e këmbësorëve.
Ndërkohë janë drejt përfundimit punimet për realizimin e plotë të kësaj vepre e cila i jep kryeqytetit një hyrje të denjë duke lehtësuar trafikun për automjetet dhe lëvizjen për këmbësorët. Autoriteti Rrugor Shqiptar shpjegoi edhe mënyrën se si do të kryhet lëvizja e mjeteve në këtë nyje.
Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës ‘Dritan Hoxha’ (Laprakë) dhe anasjelltas do të realizohet drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt. Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të Unazës së Madhe do të realizohet nëpërmjet galerisë nr. 5. Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet galerisë nr.3 Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore (ish-kombinati, rruga ‘Josif Pashko’) drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet galerisë nr. 4.