Qëndrimi zyrtar i qeverisë së Maqedonisë së Veriut për nismën “Open Balkans”, vjen në një intervistë ekskluzive me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi. Report Tv udhëtoi në Shkup për të marrë përgjigje mbi situata që po trazojnë rajonin.

A veproi drejt Albin Kurti me reciprocitetin e targave me Serbinë, pse e refuzoi pjesëmarrjen në nismën e qeverisë shqiptare “Ballkani i Hapur”, dhe pse lihet jashtë projekti i Korridorit të tetë. Artan Grubi zbulon projektet e afërta me qeverinë Shqiptare dhe marrëveshjen e shumëpritur për heqje të kufijve.

Zoti Grubi, do doja ta nisnim me çështjen aq shumë të përfolur të Ballkanit të Hapur. Shqipëria është pro, sikurse dhe Serbia por është kundër Kosova. A i jepni të drejtë kryeministrit Albin Kurti i cili thotë që s’mund të bëhet pjesë e një nisme ku bën pjesë një shtet që nuk njeh pavarësinë e Kosovës?

Artan Grubi: Ju faleminderit për pyetjen dhe që keni ardhur këtu. Përshëndes të gjithë teleshikuesit e televizionit tuaj. Pyetje me shumë rëndësi rreth procesit të Ballkanit të Hapur që ne e konsiderojmë si pjesë përbërëse të procesit të Berlinit, të nisur nga kancelarja Merkel dhe vlerësoj që është forumi i vetëm ku edhe Republika e Kosovës njihet si e barabartë me 5 shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kohë më parë ne nënshkruam dy marrëveshje dhe dy memorandume trilaterale me Shqipërinë dhe Serbinë që u mbajt në Shkup dhe ftuan republikën e Kosovës, atë të Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës që t’i bashkëngjiten kësaj nisme. Tashmë kemi marrë sinjale pozitive si nga Bosnjë e Hercegovina ashtu edhe nga Mali i Zi. Në takimin e fundit të përbashkët që kishim mes dy qeverive tona e hapëm këtë temë edhe me kryeministrin Kurti, një bashkëbisedim shumë i hapur rreth rezervave që ai ka dhe që qëndrojnë, për procesin e Ballkanit të hapur dhe për mundësinë që ne dhe Shqipëria mund të ndihmojmë në tejkalimin e drojës që mund të kenë autoritetet e Kosovës rreth këtij procesi. Gjithsesi, për ne me rëndësi është rrumbullakësimi i procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim njohjen reciproke mes tyre, çka është edhe qëndrimi ynë zyrtar. Ne duam që Serbia ta njohë Kosovën si shtet i pavarur sovran dhe e njëjta që Kosova ta njohë Serbinë si shtet i pavarur e sovran dhe të bëhet demarkacioni i kufirit mes tyre dhe të ecin përpara proceseve integruese në BE. Droja tjetër e supremacisë ekonomike dhe e votimit mund të tejkalohen për arsye se edhe ne që jemi të përfaqësuar me numra goxha seriozë në Ballkanin e Hapur dhe nuk mund të lejohet ndoshta një votim me mbivotim, por votimet duhet të sillen në mënyrë konsensuale. Çështja tek Ballkani i Hapur qëndron më shumë te forma sesa të përmbajtja, sepse përmbajtjen e përkrahin të gjithë. Është pjesë e procesit të Berlinit, është pjesë e vlerave europiane të integrimit dhe të qarkullimit të lirë të mallrave e njerëzve. Çështja është te forma e funksionimit dhe duhet të gjejmë mënyrën më të mirë të mundshme për përfshirjen e të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe për një vendimmarrje sa më konsensuale.

Kryeministri i Kosovës pak ditë më parë tha në Tiranë se procesi i Berlinit është më se i mjaftueshëm për të trajtuar problemet e Ballkanit sikurse e parashikon edhe Ballkani i hapur. Ky ndryshojnë këto dy nisma, çfarë pritet të sjellë ndryshe Ballkani i hapur?

Ballkani i Hapur është një vetiniciativë, si pjesë e procesit të Berlinit. Ne e konsiderojmë si një pjesë përbërëse e procesit të Berlinit dhe zbatim i parimeve të këtij procesi me iniciativën e vendeve të rajonit. Për ne është shumë e rëndësishme që Kosova të njihet si shtet, si pjesë e barabartë të procesit të Berlinit dhe të Ballkanit të Hapur. Për ne është me rëndësi që 4 liritë themelore të zbatohen, në çfarëdolloj forme, qoftë si pjesë e procesit të Berlinit, qoftë edhe si pjesë e Ballkanit të hapur. Pra, është e rëndësishme që të njohim njëri-tjetrin, të mos kemi konflikte dhe të na qarkullojnë lirisht mallrat dhe njerëzit. Prandaj them që më shumë ka të bëjë me formën se përmbajtjen, ndaj duhet të gjejmë një formulë të ndërmjetme mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur dhe uroj që administrata e re në Gjermani pas zgjedhjeve do të jetë po aq e përkushtuar në procesin e Berlinit dhe të mos keni nevojë për alternativa të tjera.

Do doja t’ju pyesja për zhvillimet e fundit në Kosovë që ka të bëjë me reciprocitetin e targave me Serbinë. Si e konsideroni këtë lëvizje?

Kosova është në të drejtën e vet të plotë për të zbatuar marrëveshjet e dakordësuara mes saj dhe Serbisë që janë dialoguar mes tyre në procesin e negociimit në Bruksel dhe kjo është pjesë e marrëveshjeve të dakorduara. Është në drejtën e plotë sovrane për t’i zbatuar këto marrëveshje. Vlerësoj se demonstrimi i forcës deklarative nga ana e autoriteteve serbe është i panevojshëm në këto rrethana sepse jemi në vitin 2021 dhe njerëzit janë të lodhur nga një fjalor i tillë. Nuk do të duhet të kishte fare reciprocitet, as ndaj njërës as ndaj tjetrës në rrethana ideale, por të respektohen qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në Serbi dhe anasjelltas. Prapë dua të them se zgjidhja e vetme për ç’tensionim të situatës është njohja nga ana e Serbisë e pavarësisë së Kosovës. Beogradi duhet ta njohë realitetin e Republikës së pavarur të Kosovës dhe vetëm në këtë mënyrë arrihet paqja e stabiliteti në rajon.

Ju folët për një mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. Çfarë prodhoi kjo mbledhje dhe çfarë po bëhet në drejtim të marrëveshjeve që keni nënshkruar?

Nënshkruam 11 marrëveshje, dakorduam shumë të tjera të cilat do duhet t’i harmonizojmë deri në mbledhjen tjetër që do të mbahet në Prishtinë, datë nuk kemi përcaktuar ende. Nga këto 11 marrëveshje 4 janë në sferën e ekonomisë, 1 në zhvillimin rajonal dhe tjetër me rëndësi është rehabilitimi i kufirit mes dy vendeve tona, dhe lidhja mes Prizrenit e Tetovës. Kemi miratuar fizibilitetin dhe po shkojmë drejt projektit ideor dhe javën e ardhshme do të vijë ministri Aliu nga Republika e Kosovës për të vijuar diskutimet rreth realizimit të këtij projekti jetik, për ekonomitë tona dhe për ndërlidhjen mes dy vendeve tona. Mund të them se është një mbledhje historike për arsye se në 13 vite të pavarësisë së republikës së Kosovës kjo është hera e parë që realizohet një mbledhje mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë. Unë isha drejtues dhe organizator i kësaj mbledhjeje së bashku me zv.kryeministren e Kosovës zonjën Gërvalla. Jam shumë krenar që ia arritëm ta realizojmë dhe shpresoj që së shpejti ta bëjmë edhe me republikën e Shqipërisë dhe po ashtu të nënshkruam marrëveshje dhe t’i realizojmë ato. Për mua është jetike që kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë të jetë inegzistent, ta bëjmë në një formë siç e keni ju me Kosovën që të lehtësojmë qarkullimin e njerëzve. Për ne e rëndësishme është edhe degëzimi i gazifikimit nga Maqedonia për në Kosovë bashkë edhe për ndërtimin e qendrës së përbashkët turistike për turizëm dimëror mes Kodrës së Diellit dhe Brezovicës në Kosovë. Edhe për këtë kishim dakordësimin mes dy palëve. Kështu që kishim shumë marrëveshje ambicioze dhe jemi të përkushtuar që ti realizojmë ato

Është kjo në planin tuaj dhe të Shqipërisë, pra mbledhja e përbashkët?

Vlerësoj se shumë shpejt do ta realizojmë edhe me Republikën e Shqipërisë me të cilën kemi pasur mbledhje të përbashkëta të qeverive, por me Kosovën kjo ishte hera e parë. Duam që këtë pikën e kufirit ta realizojmë edhe me Republikën e Shqipërisë. Kurse për ne është jetike që qeveria e Shqipërisë të vërë prioritet mbi Korridorin 8. Ne kemi miratuar një projektligj për ndërtimin e autostradës nga Shkupi deri në Qafë thanë pra në kufi me Shqipërinë dhe jemi në projektim e sipër edhe të ndërtimit të Hekurudhës nga Kërçova deri në fshatin Lin në Shqipëri. Pra të bëjmë një ndërlidhje me Korridorin 8 nga Adriatiku e deri në Detin e Zi. Për ne do ishte jetike që edhe Shqipëria të vijojë me ndërtimin e Korridorit 8 nga Qafë-Thana deri në Rrogozhinë apo deri në Elbasan. Kjo të do ndihmonte shumë zhvillimin ekonomik, turizmin por do të lehtësonte shumë qarkullimin e njerëzve. Në këtë vazhdë do kishim dashur të shohim zgjidhje për kufirin me vetëm një kontroll nga njëra anë e kufirit derisa të rrim në heqjen e tij.

Korridori 8 a është parashikuar në nismën e Ballkanit të hapur?

Jo nuk është parashikuar ne po e bëjmë pavarësisht. Kemi miratuar ligjin në kuvend. Tashmë jemi ne negociata me kompaninë Bechtel Enka që ka ndërtuar autostradat në Shqipëri dhe në Kosovë. Javën tjetër pritet të vijë presidenti i Bechtel dhe të bisedojmë më shumë për detajet. Bëhet fjalë për zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës prej Gostivarit drejt Kërçovës dhe prej Kërçovës në Ohër tashmë është duke u ndërtuar dhe pastaj degëzimi për në Strugë dhe në Qafë – Thanë. Nga Shkupi deri në Qafë-Thanë do arrihet për 1 orë e gjysmë dhe në bregdetin shqiptar për 2 orë e gjysmë në Durrës dhe 3 orë e gjysmë në Vlorë, çka do ta ndihmonte shumë edhe turizmin në Shqipëri dhe lëvizjen e lirë.

Aspirata për anëtarësim në BE të Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë mbahet peng nga Bullgaria. Së pari a po negociohet me Bullgarinë që të heqë veton dhe a mendoni nëse duhet të trajtohen të ndara Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sa u takon proceseve integruese në BE?Absolutisht nuk duhet të trajtohen të ndara Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Mua më kujtohet para dy viteve kishte tentativa të tilla që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut për arsye se Maqedonia konsiderohej që i ka përmbushur të gjitha kushtet, ndërsa Shqipëria akoma s’e kishte përfunduar reformën zgjedhore, reformën e gjyqësorit atje te ju dhe qëndrimin e kishin që të dyja duhet në pak kohë të marrin dritën jeshile për fillim të negociatave me BE-në. Por në rrethanat e sotme, kur e shohim një situatë iracionale me një bllokadë të paarsyeshme nga ana e fqinjit tonë Bullgarisë, në lidhje me historinë, kulturën, gjuhën e komunitetit maqedonas këtu në vendin tonë, e shohim që nuk ka arsye se pse të mbahet peng njëra apo tjetra palë në procesin e integrimit evropian. Rrethanat në Bullgari janë goxha të vështira për realizim të një dialogu konstruktiv dhe dobiprurës në vigjilje të samitit të tetorit dhe të dhjetorit të BE-së, në mënyrë që të mund të sillet një vendim sepse Bullgaria nuk ka qeveri funksionale, ka një qeveri teknike, ka zgjedhje të treta të parakohshme, një pas një, dhe po urojmë që të konsolidohet një shumicë parlamentare, e cila do të mundësojë formimin e qeverisë në mënyrë që menjëherë të fillojmë me negociatat. Ne jemi gati. Kemi adresuar që të gjitha qëndrimet, të gjitha shqetësimet që ka Bullgaria, vetëm se na duhet një partner kredibël në Bullgari, i cili mund të sjellë vendimet e duhura në mënyrë që ta zhbllokojmë edhe këtë çështje.

Kjo qeverisje, kjo shumicë parlamentare në Maqedoni, është dëshmuar që është e gatshme për kompromise të mëdha për hir të realizimit të aspiratave të qytetarëve tanë për integrim në BE. Një kompromis të tillë e bëmë me Greqinë duke ndryshuar emrin kushtetues dhe duke ndryshuar kushtetutën në mënyrë që të anëtarësohemi në NATO dhe qytetarët e vlerësuan këtë sakrificë, këtë angazhim shumë të madh të qeverisë duke i dhënë edhe një mandat shtesë dhe vlerësojmë që edhe qytetarët e kuptojnë edhe nevojën e kompromisit me fqinjin tonë Bullgarinë, në mënyrë që t’i hapim dyert drejt BE-së dhe në këtë mënyrë bashkërisht me Shqipërinë ta nisim procesin. Edhe ne, edhe Shqipëria, e meritojmë hapjen e negociatave me BE-në dhe më duhet të them këtu që as në Shkup e as në Tiranë, as tek autoritetet qendrore, as tek autoritetet lokale apo në qeveri apo në opozitë, nuk guxon të mbretërojë euroskepticizmi dhe të shfaqet në veçanti nga të gjithë ne, por përkundrazi ne do t’i bëjmë punët tona, do të integrohemi në rajon, do t’i bëjmë reformat tona dhe do të jemi gati për BE-në. Vlerësoj që në momentin që do të kemi një qeveri kredibile politike në Bullgarinë fqinje, ne do ta zgjidhim çështjen.

A ndikon procesi i regjistrimit të paktën në negociatat, a do të ndikojë në negociatat me Bullgarinë dhe si po ecën deri tani ky proces?

Deri mbrëmë kemi pasur deri në 1,2 milionë, më tepër se 1,2 milionë të regjistruar rezidentë dhe diku te 194 000 qytetarë të regjistruar në diasporë dhe numri i qytetarëve të regjistruar në diasporë, në mërgatë dhe këta që janë rezidentë bëjnë numrin e përgjithshëm të popullatës në vendin tonë. Shqipëria, Kosova, autoritetet në Shqipëri kanë dhënë ndihmë shumë të madhe në procesin e regjistrimit të popullatës. Në Maqedoni regjistrimi është jetik për arsye të dispozitave kushtetuese, të cilat rregullojnë të drejtat e komuniteteve në përputhje me përqindjen në të cilën janë të përfaqësuara në shtet, p.sh., në qoftë se jeni mbi 20% keni të drejtë ta përdorni gjuhën shqipe, gjuhën amtare, në formë zyrtare. Në qoftë se jeni mbi 50% në ndonjë prej komunave keni të drejtën të përdorni flamurin kombëtar në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe prandaj është kaq i rëndësishëm dhe kaq i veçantë regjistrimi në Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga vendet e tjera. Tani për tani po ecën mirë. Në fillim kishim disa vështirësi me kompaninë, e cila kishte siguruar software-in për regjistrimin, por është tejkaluar ajo dhe vlerësoj që deri në fund të muajit do ta rrumbullakosim dhe pastaj të vijojmë me fushatën për zgjedhjet lokale. Nuk parashoh ndonjë problem të veçantë as në aspektin e numrave, as në aspektin e cenimit të të drejtave të shqiptarëve. Përkundrazi, mendoj që do të dalim edhe mirë.

Si i keni pritshmëritë për këto zgjedhje dhe a duhet t’i trembeni koalicionit të VMRO-DPMNE-së me Aleancën Shqiptare?

Do të thotë që në të gjitha sondazhet, absolutisht në të gjitha, pa asnjë përjashtim, qofshin ato sondazhe që janë realizuar nga NDI amerikane, qofshin ato sondazhe që janë realizuar nga IRI, gjithashtu organizatë amerikane, apo nga Brima Gallup-i, apo nga të gjitha institucionet ndërkombëtare vendore, pa asnjë përjashtim të vetëm, Bashkimi Demokratik për Integrim, zoti Ali Ahmeti, janë partia numër 1, lidere, me votat e shqiptarëve në këtë vend. Ka rritjen më të madhe nga të gjitha partitë, përfshi edhe partitë politike maqedonase dhe ka përkrahjen absolute. Mund t’i referoheni çdo sondazhi të cilin ju mund ta shihni, sondazhe që kanë bërë të tjerët, të njëjtën e konfirmojnë edhe sondazhet tona që jemi fitues absolut i këtyre zgjedhjeve për arsye se qytetarët shohin një ofertë shumë serioze me projekte, një ofertë shumë kreative, inovative dhe kanë vendosur që ta përkrahin atë. Unë shoh fitore gati në të gjitha komunat shqiptare në veriperëndimin e vendit dhe uroj që qytetarët në mënyrën më të lirë të mundshme, në mënyrën më demokratike të mundshme, të dalin, të shprehin vullnetin e tyre dhe të përcaktohen për më të mirët. Për sa i përket koalicionit të partive opozitare më vjen mirë që shoh përpjekje për t’u bashkur dhe për të mos e parcializuar votën edhe përkundër faktit që kishte reagime shumë në opinion nga një koalicion i panatyrshëm, për arsye se edhe zoti Taravari, edhe zoti Sela, tërë karrierën e vet e ndërtuan mbi incidentin e 27 prillit, kur VRMO-DPMNE hyri në Kuvend duke protestuar kundër zyrtarizimit të gjuhës shqip dhe zgjedhjes së Talat Xhaferrit si një shqiptar në krye të Kuvendit dhe me ç’rast e pësoi më së keqi zoti Sela, pikërisht nga ky organizim i VMRO-DPMNE-së dhe tashmë e shohin veten në një koalicion. Vlerësohet këtu që e vetmja arsye për këtë koalicion është nevoja që zoti Taravari në Gostivar të ketë ndonjë mundësi për të dalë në rrethin e dytë apo për të qenë më kompetitiv në këtë garë sepse në komunat e tjera ky koalicion, më shumë se sa i ka lënduar, se qytetarët vlerësojnë që është një koalicion i sindrom Stokholmit dhe është absolutisht i panatyrshëm. Bënë një koalicion me një parti, e cila nuk përkrah Marrëveshjen e Prespës për anëtarësim në NATO, nuk përkrah Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë pë anëtarësin në BE, nuk e përkrah ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe dygjuhësinë në këtë vend, protestonte. Bëhet fjalë për një parti, e cila hyri në Kuvend dhe e rrahu liderin e tyre, i cili e ndërtoi të gjithë karrierën e tij, prapë po e përsëris, në bazë të atij incidenti dhe tashmë njëë parti, e cila kërkon koalicion me partinë e majtë, pra që është ekstremi i majtë dhe që është komplet anti-NATO, anti-Marrëveshja e Ohrit, antishqiptar, dhe ju, si një parti shqiptare bëni koalicion me të njëjtën parti vetëm për të psur ndonjë gjasë për të fituar ndonjë komunë. Unë vlerësoj që ne do të jemi shumë më mirë sesa jemi tani në pushtetin lokal dhe do ta lëmë që ta përcaktojnë qytetarët më 17 tetor në rrethin e parë, ndërsa ne kemi edhe rrethin e dytë dy javë më pas.

Do të doja të ndalesha edhe në një deklaratë të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pak ditë më parë, sipas të cilit platforma e Tiranës për Maqedoninë e Veriut luajti rol, ndikoi shumë që të zbatoheshin të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kryesisht lidhur me gjuhën. Ju si e komentoni? Është hera e dytë që e përsërit zoti Rama këtë deklaratë.

Ju kujtohet, në vitin 2016 asokohe në zgjedhjet parlamentare, rezultati ishte shumë i ngushtë midis partive politike maqedonase, 51 deputetë i fituan konservatorët maqedonas VRMO-DPMNE-ja dhe e majta, Lidhja Socialdemokrate fitoi 49. Dallimi ishte vetëm 2 deputetë njëra me tjetrën dhe numrat e Bashkimit Demokratik për Integrim bënin ndryshimin, ose me njërin ose me tjetrin hynim në qeveri. Asokohe realizuam takim me zotin Edi Rama, Kryeministrin e Shqipërisë në Kryeministri dhe ishte më se i sinqertë për arsye se kishte studiuar përafërsisht rrethanat politike në Maqedoni dhe ofroi që të ndërmjetësonte apo të lehtësonte një takim midis partive politike, me ç’rast ne gjithsesi pranuam dhe bëhet fjalë për formalizimin e një programi politik, të cilin e kishim këtu ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa me lehtësimin e tij u mundëua edhe takimi me partitë politike të tjera opozitare shqiptare. Për fat të keq, duhej që ne të vinim në Tiranë që të bashkoheshim për arsye se partitë politike të opozitës shqiptare refuzonin që të takoheshim në Shkup, por kërkonin edhe ndihmesën e zotit Rama. Pjesë e asaj marrëveshjeje të cilën e nënshkruam, fatkeqësisht u quajt Platforma e Tiranës dhe mandej shërbeu si shkak për ato protesta të VMRO-DPMNE-së kundër gjuhës shqipe, që rezultuan me ndërhyrjen në Kuvend dhe me rrahjen e zotit Sela. Do të thotë që unë e quaj një marrëveshje midis partive politike dhe gjithsesi si rezultat i asaj marrëveshjeje politike u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, u themelua ansambli për valle dhe këngë shqiptare këtu në vend, ansambël shtetëror flasim, u avancua kultura shqiptare, u themelua kjo ministri ku jemi sot ne, Ministria për Sistem Politik e cila merret me marrëdhëniet midis komuniteteve dhe me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit duke garantuar të drejtat e komuniteteve. Të gjitha çështjet që ishin të parapara në atë marrëveshje tashmë i kemi zbatuar dhe me të drejtë, edhe zoti Rama thotë që ajo marrëveshje ka ndihmuar në rrumbullakimin e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Dua të ndalem në tragjedinë e Spitalit Modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 pacientë dhe familjarë të tyre. A ka përgjegjës për këtë ngjarje?

Tragjedia e Tetovës ishte një aksident i tmerrshëm. Unë isha aty gati gjysmë ore pasi kishte ndodhur dhe arrita bashkë edhe me kolegët e mi, u bashkëngjit edhe zoti Ahmeti, edhe zoti Zaev, edhe ministra të tjerë, ministri i Shëndetësisë për të parë nga afër dhe për të ndihmuar dhe vërtet ishte shumë fatkeqe, shumë e tmerrshme ajo çfarë ndodhi dhe më se sinqerisht u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, bashkëndiejmë me dhembjen e tyre dhe jemi pjesë e procesit të zbardhjes së këtij rasti. Në mënyrë që ta rrisim kredibilitetin sa më të madh, kërkuam edhe ndihmë ndërkombëtare për ta rritur besueshmërinë e qytetarëve në hetimin e plotë të cilin po e bën Prokuroria dhe erdhën një ekip i tërë nga Gjermania për të asistuar, ekspertë në hetime të tilla dhe po presim rezultatet e hetimit. Si rrjedhojë dorëheqje imediate ka dhënë drejtori i spitalit, i edhe drejtori ekonomik, të dy drejtorët. E ka dhënë edhe zëvendësministri i Shëndetësisë bashkë me ministrin e Shëndetësisë, të cilat akoma nuk janë pranuar për arsye se kryeministri vlerësoi që duhet t’i shohim rezultatet e hetimit. Bëhet fjalë për një aksident dhe më vjen shumë keq dhe uroj që hetuesia të përfundojë sa më shpejt investigimin në mënyrë që të dalë me rezultatet paraprake dhe të vijojë më tej. Unë nuk mendoj që është ndonjë çështje e veçantë puna e dorëheqjes edhe e mjekëve, në veçanti të mjekëve të spitalit të Tetovës, drejtorëve, të cilët me asnjë hamendje, që në çastin e parë nga një përgjegjësi njerëzore, morale, e dorëzuan atë dhe nuk bëhet fjalë që është pranuar apo nuk është pranuar, sepse ata janë të dorëhequr dhe është fakt i kryer kjo çështje. Çështja politike më shumë ngrihet rreth përgjegjësisë së ministrit të Shëndetësisë dhe zëvendësministrit të Shëndetësisë, me ç’rast më se sinqerisht ju them që nuk shoh ndonjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për arsye se as nuk kanë marrë pjesë në ndërtimin e atyre spitaleve modulare.

Me sa kemi informacione, pati denoncuar drejtori ekonomik i spitalit që ka probleme teknike.

Nuk ishte e saktë ajo, e sqaroi drejtori ekonomik i spitalit deklaratën të cilën e kishte dhënë në muajin prill të këtij viti, në mos gaboj. Bëhej fjalë për disa ndërhyrje kozmetike në spital që s’kishin të bënin me instalimin e rrymës apo me çështje të tjera, por më shumë me çështjen e dyshemesë dhe të derës së hyrjes. Vlerësoj që ministri i Shëndetësisë, zëvendësministri i Shëndetësisë aq më pak, për arsye se nuk ka qenë fare i kyçur, duhet të qëndrojnë në detyrë në këtë periudhë në veçanti për arsye se po përballojnë një rritje të numrave të infektimeve me covid-19 dhe në veçanti procesin e vaksinimit do të duhet ta udhëheqin drejt krijimit të imunitetit masiv sepse jemi në një periudhë parazgjedhore dhe në qoftë se pranohet dorëheqja e të dyve, nuk ka se kush ta udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë në këtë periudhë parazgjedhore sepse ne kemi edhe kufizime në përputhje me Kodin Zgjedhor, që nuk guxojmë të zgjedhim, të emërojmë apo të shkarkojmë njerëz në periudhën prej kur shpallen zgjedhjet deri te shpallja e rezultateve përfundimtare. Kështu që, në qoftë se veprojmë pa u menduar, do ta paralizojmë tërësisht sistemin shëndetësor në një kohë pandemie prandaj dhe duhet të kemi kujdesin dhe të mos nxitojmë me vendime emotive, por të jemi shumë racionalë në mënyrën e të menduarit.

Votimet do të bëhen në qendrat e votimit apo të prekurit me covid-19 do të votojnë në shtëpitë e tyre?

Jo, të prekurit me covid-19 do të votojnë nga shtëpitë e tyre, ndërsa votimi gjithsesi në qendrat e votimit për të gjithë të tjerët.

Ju falënderoj shumë për intervistën!

Faleminderit juve!

(Shqiptarja.com)