Italia pritet që ta bëjë “Pasaportën Jeshile” të detyrueshme për punonjësit që punojnë në sektorin publik por edhe atë privat. Sipas asaj që raportojnë mediat në vend, qeveria ka vendosur që të kërkojë “Pasaportën Jeshile” për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat.

Askush prej tyre nuk do të pranohet në punë nëse nuk është vaksinuar apo nëse nuk paraqet një tampon negativ ose dëshmi që vërteton që e ka kaluar virusin së fundmi. Drafti është miratuar edhe nga guvernatorët e rajoneve dhe tashmë pritet firma e kryeministrit. Vendimi, i cili pritet të firmoset nesër nga kryeministri Mario Draghi do të fillojë të aplikohet mes datave 10-15 tetor dhe do të përfshijë të gjithë Italinë.