Shpallja e ish-kryeministrit, Sali Berisha, “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka kosto për Partinë Demokratike. Kështu shprehet ish-kandidati për kryetar i PD-së Fatbardh Kadilli, i cili thotë se shpresonte që Berisha do të reflektonte dhe do të kishte dhembshuri për PD-në, në lidhje me mandatin e deputetit. Në studion e “Ditarit” në A2 ai thotë se lideri historik ka marrë më shumë se kushdo tjetër nga PD-ja dhe nuk mund ta cenonte PD-në.
“Sa ka dalë njoftimi nga DASH kam reaguar unë dhe kam i bërë thirrje Berishës ta ndjekë privatisht dhe i kam bërë thirrje që të mos e përfshijë PD-në. Çfarë fakte dhe prova kërkon nga PD? Kjo e përfshin PD-në.
Veprimi i Berishës është politik prisja që Berisha të reflektonte vetë se kjo krijon kosto për PD-në afatshkurtër e mesëm. Qëndrimet politike mund të ndryshojë po jo brenda ditës. Ai duhet të kishte dhembshuri për PD-në se ka kontribuar për PD-në po ka marrë më shumë se çdokush nga PD-ja, e ka bërë president dhe kryeministër”, tha ai.
Sipas Kadillit, meqë ish-kryeministri nuk reflektoi, këtë duhet ta bënte kryetari Basha, sa i takon marrjes në konsideratë të mandatit të Berishës, në mënyrë që të forconte rolin e tij politik dhe të dëshmonte besueshmëri:
“Duhet të ishte zgjedhja e tij, nuk e bëri Berisha, por duhet ta bënte Basha. Berisha është shprehur disa herë, por qëndrimin nuk mban ish-kryetari, por kryetari, që të forcojë profilin politik e të jetë i besueshëm”.
Në këndvështrimin e tij, Kadilli nuk shikon distancim të Bashës nga Berisha. Ai thekson se ky sistem kryetarokracie duhet të marrë fund, për të sjellë meritokraci dhe konkurrencë në interes të qytetarëve:
“Nuk e shoh si të tillë, e shoh si rritje të presionit të jashtëm, gjithë shoqëria është bindur se ky sistem nuk prodhon asgjë të mirë as për mazhorancën e as për opozitën dhe nevoja për të ndryshuar kryetarokracinë, për të kthyer konkurrencën në parti se kur të vijë në pushtet nuk do të sjellë konkurrencë, por do jetë monopol, klientelizëm. Çfarë besimi u japim shqiptarëve nëse mohojmë konkurrencën brenda vetes sonë?”