Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Roland Bejko i cili është edhe këshilltar i kreut të PD-së për pushtetin vendor është shprehur në “Report Tv” se Lulzim Basha ka vetëm 2 rrugë në situatën ku ndodhet aktualisht pas presionit amerikan për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga SHBA, ose të përjashtojë Berishën ose të japë dorëheqjen. “Kambanat në radhë të parë bien për Partinë Demokratike. Gjithçka që mund të ndodhë pasojat do të bien mbi PD-në. Ka shumë rrezik që nëse Berisha përjashtohet nga PD dhe ai reziston partia mund të ndahet në dysh. Nëse ndodh që Berisha të qëndrojë ambasada e SHBA mund të mos bëjë asgjë por Ramës i intereson që Berisha të jetë në Kuvend dhe ai ta përdorë politikisht.
Varianti tjetër është që SHBA ta përshkallëzojë qëndrimin ndaj PD-së. Për shëmbull të ndodhë ajo që ndodhi kur u votua reforma në drejtësi duke i marrë një nga një deputetët e PD-së. Basha jo vetëm që nuk mund t’i shmanget kësaj përballje por ka vetëm 2 rrugë. Ai ose duhet t’i kërkojë institucioneve të partisë përjashtimin e Berishës ose të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së. Dorëheqja i shërben vetëm z. Basha. Ajo që humbet është Partia Demokratike. Në rast se Berisha qëndron kundër presionit të thelluar të qeverisë amerikane PD do të jetë e izoluar dhe do të ketë damkën si e para parti shqiptare që lëviz në politikë si anti amerikane. Berisha duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga PD dhe ta mbronte vetë dinjitetin e tij”, tha Bejko në ‘Sot live në Shqipëri’. Sipas tij skenarët që janë në PD do të krijonte kosto për të dhe demokracinë shqiptare. “Unë dua që Partia Demokratike të mos ndahet në 2 pjesë, të mos izolohet nga faktori ndëkrombëtar në Shqipëri”, tha ai.
Sa i përket emrave të qeverisë së re, Roland Bejko thotë se Rama nuk u kujdes për fatet e shqiptarëve kur foli për kabinetin e ri. “Nuk ka nevojë që të marrësh emër për emër të gjithë ministrat. Të gjithë janë ‘Yesman’, ulin dorën dhe ngrenë dorën. I mungon një background profesional dhe politik. Në kohën e PD ka pasur personalitete që kishin çfarë thoshin. Me këtë kabinet Rama nuk u kujdes për fatet e qytetarëve shqiptarë, nuk u tha asnjë fjalë se çdo të bëhet me ekonominë apo me problemet e tjera. Ai nuk foli asgjë për qeverisjen por vetëm për mandatin e katërt. Ai pranoi faktin se PS është një makinë elektorale që ka deformuar vullnetin e shqiptarëve”, tha Bejko.