hqipëria ka nisur punën për ta bërë realitet brenda 5 viteve të ardhshme segmentin shqiptar të Korridorit Blu, nga Muriqani në Fier, një vepër mjaft e rëndësishme infrastrukturore.
I njohur edhe si korridori Adriatiko-Jonian, pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar të rrjetit të BE, që lidh Evropën Qendrore dhe Italinë e Veriut me Ballkanin në Evropën Juglindore, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, përshkon në një pjesë të rëndësishme edhe territorin e vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë teksa prezantoi programin qeverisës se “ky do të jetë edhe mandati i kantierit më të madh të Korridorit Blu.
“Më i madhi në historinë e deritanishme të zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, ku në harkun e pesë viteve do të kemi një autostradë të realizuar me standarde evropiane nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës”, u shpreh kryeministri.
Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të këtij korridori, informoi se në muajt në vazhdim, do të rihapet gara.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi në korrik të vitit që shkoi garën ndërkombëtare për projektimin, ndërtimin dhe operimin e aksit rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian por për shkak të kufizimeve nga pandemia, kompanitë hasën vështirësi në gjetjen e financimeve.
Segmenti Milot-Fier është pjesa më e rëndësishme, në territorin shqiptar, e korridorit Adriatiko-Jonian. Projekti parashikon ndërtimin e 53 kilometrave gjurmë rruge të reja dhe 62 kilometra, të cilat do të jenë në gjurmën ekzistuese, por të rehabilituara në kategorinë A dhe kategorinë B.
Pjesë e këtij projekti është dhe ndërtimi i nyjës e cila e lidh këtë segment me bypass-in e Tiranës, duke i dhënë kështu mundësi kryeqytetit të integrohet sa më parë në këtë rrjet, por edhe segmenti Thumanë-Rinas dhe Rinas-Tiranë.
Për të plotësuar këtë korridor, një element i rëndësishëm është bajpasi i Gjirokastrës, për të cilin Balluku theksoi se kemi aplikuar dhe shpresojmë ta marrim.
Sipas përllogaritjeve, segmenti rrugor Milot-Fier në vitin e parë parashikohet të përpunojë një volum mesatar prej 32 mijë automjetesh, për të arritur në vitin 2055 një numër të dyfishuar, 62 mijë automjete. Shpejtësia maksimale në këtë segment do të jetë 130 km/orë dhe i gjithë ky aks do të përshkruhet për një kohë prej 1 orë e 15 minuta.