Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi selinë qendrore të UNICEF në Kopenhagen, në strukturën e përqendruar të furnizimit të barnave, ku deklaroi se Shqipëria ka financuar 200 mijë vaksina të gripit, të cilat pritet që të vijnë së shpejti. “Ashtu sikurse në këto vitet e fundit, edhe këtë vit, pavarësisht gjithë vëmendjes që kemi për të rritur disponibilitetin e vaksinave anticovid, do të kemi gjithashtu të garantuar për grupet e riskut, edhe vaksinën kundër gripit. Përsa i përket vaksinës së gripit janë më shumë se 200 mijë vaksina të cilat pritet që të vijnë brenda tetorit dhe muajit nëntor. Ky do të jetë kalendari i lëvrimit të vaksinave sipas UNICEF”, tha Manastirliu
Duke vlerësuar rolin e UNICEF për të gjitha vendet të cilat janë pjesë e instrumentit të Covax-it për të bërë blerjen e qendërzuar dhe shpërndarjen e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se jemi në pritje të 144 mijë doza vaksinash anticovid, që pritet të vijnë falë bashkëpunimit me instrumentin COVAX. “Ne jemi në pritje që të kemi dhe 144 mijë doza vaksinash të radhës, që presim të vijnë brenda disa javëve, nga bashkëpunimi që kemi me instrumentin e Covax-it. Dhe sigurisht të vijojmë me kalendarin e lëvrimit pasi në tërësi në këtë instrument ne kemi blerë apo parablerë 1 milion e 140 mijë doza vaksine”, bëri me dije Manastirliu.
Duke folur për konsolidimin e programit kombëtar të imunizimit dhe të strategjisë për parandalimin dhe kontrollin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, Manastirliu tha se po diskutohet me UNICEF përfshirja e vaksinës HPV në kalendarin e vaksinimit. “Ne jemi duke diskutuar me UNICEF-in, në kuadër edhe të strategjisë që ne kemi për parandalimin dhe kontrollin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës dhe përfshirjen e vaksinës së human papiloma virusit, pra HPV-së, në kalendarin e vaksinimit. Jemi në diskutime ende. Por sigurisht që e kemi si objektiv në strategjinë tonë, përfshirjen e kësaj vaksine për vajzat e moshës 9-14 vjeç. Ne do ta realizojmë në kuadër edhe të një strategjie që jemi duke elaboruar së bashku dhe të skenarëve përkatës”, tha Mananastirliu.
Duke shprehur vlerësimin për vizitën e ministres Manastirliu në selinë qendrore të UNICEF në Kopenhagen, Drejtoresha e Përgjithshme e Prokurimeve, Etleva Kadilli tha: “Ne këtu si zyra e UNICEF qendrore shpresojmë që të jemi gjithmonë në shërbim dhe në dispozicion të Shqipërisë dhe vendeve të tjera në këtë situatë kaq të vështirë të pandemisë. Shpresojmë që shumë shpejt do të mundësojmë lëvrimin e dozave të ndryshme, qoftë kjo të vaksinave për covid, por gjithashtu edhe për gripin”.