Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të programit politik për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale në Kuvendin e Shqipërisë, ka deklaruar se fokusi i mandatit të tretë qeverisës në këto sektorë do të përqëndrohet në vaksinimin e popullatës së targetuar dhe mirëmenaxhimin e pasojave post-COVID.
“Programi ynë Kombëtar i Vaksinimit, pavarësisht skepticizmit, nisi në një kohë kur jo pak vende nuk kishin ende qasje në vaksina. Kjo bëri të mundur një mbrojtje më të hershme të popullatës dhe rezultatin mund ta shohim sot, nëse bëjmë krahasimin me vendet fqinje, apo vendet e ngjashme me Shqipërinë. Deri më sot, kemi kryer 1milion e 625 mijë vaksinime. Programi ynë do të vazhdojë pa u ndalur, sepse ne do të garantojmë furnizimin me vaksina, me objektiv final vaksinimin e plotë të popullatës target. Në mandatin tonë të tretë fokusi do të jetë në menaxhimin sa më efektiv të pasojave post –COVID”, deklaroi Manastirliu.
Duke theksuar se Pandemia testoi çdo hallkë të sistemit shëndetësor, Manastirliu nënvizoi se për përballimin e kësaj situate të vështirë, u rritën kapacitetet spitalore dhe u investua për diagnostikimin dhe trajtimin e COVID19, sipas protokolleve më bashkëkohore.
“Nga dita e parë e kësaj krize me përmasa globale, ne rritëm kapacitetet spitalore, investuam për diagnostikimin dhe trajtimin sipas protokolleve më bashkëkohore. Dyfishuam kapacitetet në respiratorë e terapi intensive, ashtu sikurse katërfishuam kapacitetet laboratorike. Bonuset speciale nuk u munguan stafeve tona në vijën e parë të frontit, që nga dita e parë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se, në dy mandatet e para, pavarësisht Pandemisë së Covid19, që vuri në vështirësi sistemet shëndetësore në çdo cep të botës, në asnjë moment nuk janë ndalur ndërhyrjet transformuese në sistem, duke shumfishuar investimet në infrastrukturë dhe fuqizuar rolin e profesionistëve të shëndetit, si kolonat mbajtëse të sistemit modern shëndetësor që duam të ndërtojmë.