Pas rekomandimit të Bashkimit Evropian pak ditë më parë mbi regjimin e ri të lëvizjes mes shteteve, në kuadër të masave kundër COVID-19, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije ndryshimet për udhëtimet nga Shqipëria drejt disa vendeve të BE-së. MEPJ njofton se duke u bazuar në rekomandimin e BE-së, qeveria belge ka rikthyer kufizimet për udhëtimet jo esenciale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi.

Sipas rekomandimeve, shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë drejt Belgjikës kur janë të pajisur me certifikatën e vaksinimit. “Pas mbërritjes në Belgjikë i nënshtrohen testimit ditën e parë ose të dytë dhe të shtatë. Nëse në ditën 7 përgjigja është prapë negative, shtetasi del nga karantina. Në rastet e udhëtimeve esenciale, duhet të kenë konfirmimin për udhëtimin nga ambasada e Belgjikës në Bullgari, pasi nga ky vend bëhet mbulimi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Aplikimi për PLF (Passenger Location Form), bëhet online, duke ia drejtuar kërkesën ambasadës në adresën: [email protected]. Shtetasit mbi 12 vjeç duhet të jenë të pajisur me test PCR të 72 orëve të fundit dhe pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen karantinës”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.