“Një martesë XXL”. Kështu e përcakton revista sportive franceze “L’Equipe” në faqen e parë marrëveshjen (nënkupto pagën) që Lionel Messi ka nënshkruar me PSG, ku mbërriti kësaj vere nga Barcelona si transferim falas. Ylli argjentinas ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin parizien, me opsion edhe për sezonin e tretë, për një shumë totale prej 110 milionë eurosh neto.

Në veçanti, Messi do të fitojë 30 milionë euro në vitin e parë, pagë që do të rritet në 40 milionë euro, përmes një bonusi besnikërie, në dy sezonet e ardhshme. Kjo rritje është parashikuar sepse argjentinasi nuk ka marrë asnjë bonus nënshkrimi falas. Këto janë shifra të barabarta me ato që shfaqen në kontratën e Neymar dhe më të larta se ato të Mbappe, i cili deri më tani ka refuzuar të gjitha propozimet e PSG për të rinovuar kontratën që i skadon në qershor 2022.