Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis tha se nuk kishte ndërmend të hynte në një garë të armatimesh me Turqinë. Në një intervistë ekskluzive me transmetuesin shtetëror grek, ERT, Kyriakos Mitsotakis, i cili ishte në Paris për një vizitë zyrtare dyditore, theksoi se “në pranverë, unë parashikova se do të kishim një verë të qetë. Nuk shoh asnjë arsye pse ne nuk duhet të kemi një vjeshtë të qetë dhe një dimër të qetë”. ”Unë besoj se Turqia e kupton që nga tensionet në Mesdheun Lindor nuk do të përfitojë askush”, theksoi ai.
Duke deklaruar se mund të arrihet bashkëpunim me Turqinë për çështje të përbashkëta si kriza klimatike dhe problemi i refugjatëve, Mitsotakis nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik është i mundur si pjesë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektit. Ai tha se mënyra e vetme për të zgjidhur problemet në Mesdheun Lindor dhe detin Egje është ligji ndërkombëtar. “Unë do t’ju them sinqerisht se mund të arrihen marrëveshje që kërkojnë një tërheqje reciproke në disa çështje, në mënyrë që në fund të arrijmë zgjidhje nga e cila përfitojnë të gjithë”, theksoi ai.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për modernizimin e ushtrisë greke. “Nuk jam në disponim për një garë armatimesh me Turqinë. Nuk është qëllimi im”, tha ai. ”Unë do t’i dorëzoj një forcë të armatosur më të fuqishme pasardhësit tim”, shtoi Mitsotakis.