Mjekja Aurora Dollenberg i bërë apel sot qytetarëve të vaksinohen, ndërsa theksoi se “vaksina të mbron jetën edhe pse infektueshmëria është e mundshme, por me simptoma të lehta”.
Në një prononcim për mediet mjekja Dollenberg, duke iu referuar shifrave aktuale të infektimit theksoi se “përsa kohë që popullata shqiptare është 20% e vaksinuar nuk mund të flasim për një situatë optimiste sidomos në kushtet kur shkollat kanë filluar hapjen e tyre”.
“Universitetet ende nuk e kanë dritën jeshile sesi do të procedohet ne auditore dhe si do jetë jeta universitare e mjekëve të rinj e specializantëve. Jemi në një situatë delikate”, – theksoi Dollenberg.
E pyetur se sa e sugjeron dozën e tretë pas publikimit të studimit nga Akademia e Shkencave, Dollenberg tha se “doza e tretë vlen për vendet që kanë arritur 80% e vaksinimit të popullatës. Nëse Izraeli del me një studim të fundit dhe këshillon një dozë të tretë se e ka arritur masivin e popullatës së vaksinuar. Kjo vlen vetëm për vendet që i kanë mbaruar dy dozat e para”.
“Shqipëria është shumë larg minimumit për dy dozat e para dhe doza e tretë as nuk diskutohet për këtë vit jo, mbase për vitin tjetër, nëse do shprehet më shumë vullnetarizëm tek qytetarët dhe më shumë besim tek mjekësia dhe shkenca atëherë mund të flasim për një dozë të tretë dhe të katërt vitin tjetër”, shtoi ajo.
Duke folur për konferencën që u mbajt në QSUT me bluzat e bardha, Dollenberg u shpreh se “ka për qëllim sensibilizmin e situatës ku jemi dhe sfida që na sjell vjeshta me hapjen e shkollës dhe universiteteve ku rreziku i Deltës dhe mutacioneve të reja mund të çojë në një valë të katërt. Duhet një trajnim i rregullt i personelit mjekësor sepse edhe ta kanë nevojë për aktualizim të njohurive në mënyrë që t’ua transmetojnë qytetarëve”.