Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot në një intervistë televizive për planet e modernizimit të Forcave të Armatosura, si dhe foli për vizitën në akademinë ushtarake amerikane “West Point” së bashku me Kryeministrin Edi Rama.
“Dukej gjatë vizitës sonë atje që puna ishte bërë siç duhej. Gjetëm një derë të hapur në “West Point”. Gjetëm një vullnet për bashkëpunim. Na kanë dhënë me vete bindjen se vullneti për këtë projekt të ri është i dyanshëm”, u shpreh ai.
Peleshi zbulon se Kryeministri Rama kërkesën për të bashkëpunuar me akademinë “West Point” ia ka parashtruar kokë më kokë Sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken.
“Dua të zbuloj, nuk është një sekret i madh, që në samitin e NATO-s, të liderëve të NATO-s, kryeministri Rama ka pasur një takim me sekretarin e shtetit, Blinken. Nevoja dhe vullneti ynë për të ndërtuar një partneritet me akademinë ushtarake West Point, është shprehur dhe është kërkuar dhe atje nga kryeministri i vendit”, tha Peleshi.
Peleshi shtoi se, plani madhor është ndërtimi i një korpusi të ri për kadetët shqiptarë që ka ambicien të jetë pikë referimi për gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Shpresojmë se shumë shpejt do të jemi gati për të filluar nga ndërtimi derisa të përfundojë 1.5 ose 2 vite ne do të kemi mundësinë të kemi një kampus edhe nga pikëpamja e hapësirës dhe logjistikës”.
Sa i takon modernizimit të Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes zbuloi se Shqipëria ka blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 6 dronë ushtarakë.
“Ne së fundmi kemi marrë 6 dronë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi në fazën e trajnimit dhe për pak muaj dronët do të jenë në veprim”, theksoi Peleshi.
Sakaq punimet në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, do të fillojnë pas disa muajsh. Ministri i mbrojtjes tregon dhe kapacitetin e bazës për të pritur flotën e avionëve luftarakë të Aleancës.
“Në bazën ajrore taktike të NATO-s do të ketë kapacitete për parkimin e 16 avionëve luftarakë të NATO-s”, tha ai.
I vetëdijshëm se duhet të rritet trajtimi financiar për oficerët dhe nënoficerët e Forcave të Armatosura ,Peleshi shprehet se do të bëhet gjithçka që shpërblimi financiar të jetë dinjitoz.
“Të gjitha duhet të ndryshojnë. Së pari, masa e shpërblimit, duke filluar nga ushtari i thjeshtë deri tek gradat më të larta. Duhet ta pranojmë ka ardhur koha të shtrydhim të gjitha mundësitë tona për të siguruar një pagë dhe një shpërblim më dinjitoz”, tha Peleshi.