Kantautori i njohur shqiptar, Riza Dolaku ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare në Prishtinë. Fatkeqësisht, ai nuk mundi që të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë në mushkëri, që i mori jetën. Këtë lajm të hidhur e ka konfirmuar për ‘RADIO 1’, miku dhe bashkëpunëtori i afërt i të ndjerit, kompozitori Afrim Macula.

“Na iku ky njeri i dashur, i veçant dhe i madh për nga natyra muzikore. Riza përcjellet sot në ora 13:00 në banesën e tij të fundit, në varrezat e kryeqytetit, në Prishtinë”, u shpreh Macula në ‘RADIO 1’.

Ai studioi në Akademinë e Muzikës në Beograd. Filloi shkollën e mesme muzikore në Prizren dhe e përfundoi në Prishtinë. Ai mori pjesë në festivale të ndryshme si: “Akordet e Kosovës” , por gjithashtu pati një numër paraqitjesh si kompozitor “Zambaku i Prizrenit, Nota Fest etj. Artisti i ndjerë ishte gjithashtu një pianist dhe pjesë e jurisë në festivalin “Shon Fest 2000”.

Po ashtu, ai njihet gjithashtu për këngën “E dehun Jam” nga Nexhmie Pagarusha, e cila ishte realizuar nga Alma Bektashi në një ngjarje nderimi për Nexhmie Pagarushën, organizuar nga RTK. Riza Dolaku do të përkujtohet dhe jetësohet tek artdashësit me veprat dhe projektet e tij të shumta që ka lënë pas!