Kryeministri Edi Rama ka publikuar një përmbledhje të aktiviteteve të javës përmes një fotoalbumi.

Fotoalbumi nis me takimin e kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel e cila vizitoi të martën Tiranën në kuadër të një turi lumtumire në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë kësaj vizite, Rama nderoi kancelarin në emër të Shqipërisë, me Kordonin e Madh me Yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Merkel zhvilloi një takim edhe me liderët e rajonit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Merkel tha se “zemra ime rreh për këtë rajon. Jam e bindur që BE dhe Gjermania, në këndvështrimin gjeostrategjik, kanë interes të vetin për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”. “Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia e Veriut që i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit”, deklaroi kancelaria. Reformat e Shqipërisë që ishin kushte për integrimin Kancelarja i cilësoi të përmbushura e theksoi se “në momentin që këto kushte plotësohen, do duhej që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera”. Kancelarja mbështeti nismën “Ballkani i hapur” duke e cilësuar një bashkëpunim që fuqizon Procesin e Berlinit ndërsa tha se me lidëret e rajonit kanë diskutuar edhe për nisjen e punimeve për “Autostradën e Paqes”. Kryeministri Edi Rama tha se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Kancelarja duke shtuar se “pa Merkel, Ballkani dhe Europa nuk do ishte njësoj siç është sot”. Rama tha se “Open Balkan është mekanizëm dhe mjeti i rajonit për të përshpejtuar dhe implementuar Procesin e Berlinit”.

Gjithashtu, kryeministri Edi Rama ka publikuar foto edhe nga ceremonia e mbrëmjes gala në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor që rihapi mbrëmjen e së mërkurës dyert pas rikonstruksionit, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho. Pas 60 vitesh që nga krijimi i tij ku nuk ka patur ndërhyrje rrënjësore në strukturë, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu edhe nga parametrat teknikë e profesionalë të akustikës si dhe me një skenë moderne në qendër.

Një tjetër moment i fotoalbumit të kryeministrit është edhe takimi me këngëtarin shqiptar Ermal Meta i cili mbajti një koncert në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Fotoalbumi përmbyllet seancën maratonë të parlamentit ku u votua programi i qeverisës për mandatin e tretë si dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, gjatë së cilës Kryeministri Edi Rama prezantoi prioritetet për 4 vitet e ardhshme për ambicien ‘Shqipëria 2030” si dhe me ceremoninë e betimit në presidencë.