Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maitre.

Ambasadori Maitre e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e lartë dhe shprehu bindjen dhe vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit midis parlamenteve të të dy vendeve.

Nikolla vlerësoi bashkëpunimin politik shumë të mirë e dinamik midis të dy vendeve. Zvicra është një donator i rëndësishëm për Shqipërinë, donatori i parë në sektorin e shëndetësisë, ka ndihmuar në përmirësimin e sistemit dhe kujdesit shëndetësor si edhe me mjaft programe e projekte të tjera në fusha të ndryshme.

Nikolla shprehu mirënjohjen për asistencën e menjëhershme zvicerane për për kalimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë COVID-19.

“Bashkëpunimi shumë i mirë midis parlamenteve të dy vendeve mund të zgjerohet me shkëmbimin e vizitave midis komisioneve e parlamentarëve të dy vendeve. Gjithashtu, ne vlerësojmë mbështetjen e Zvicrës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare, rritjen e produktivitetit dhe eficiencës së veprimtarisë parlamentare, si edhe mbështetjen për qeverisjen vendore, edukimin qytetar dhe mbështetjen për reformat, në shërbim të qytetarëve. Ky bashkëpunim do të vazhdojë”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.