Në studion e emisionit ‘Kjo javë’, në News24 ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati komentoi edhe përbërjen e qeverisë së re të kabintetit qeveritar “Rama 3”. Bushati tha se përbërja është ekskluzivitet i kryeministrit, ndaj e rëndësishme sipas tij është që ky kabinet të prodhojë rezultate dhe të ketë një mbështetje sa më të madhe.
“Qeveria vjen në mandatin e tretë pas adresimit të dy sfidave, jo në mënyrë të plotë, sepse asnjë vend në botë s’mund të thotë se ka larë hesapet me pandeminë, apo me rastin e tërmetit. Vëmendja e opinionin publik natyrshëm është drejtuar drejt rimëkëmbjes së plotë në kuptimin ekonomik të fjalës por edhe drejt disa sfidave që në fakt nuk janë sfida thjesht dhe vetëm të Shqipërisë. Kur flasim për kabinetin duhet të kemi parasysh që në të gjithë botën është një lloj ekskluziviteti i kryeministrit përbërja e kabinetit. Në fund të ditës është e rëndësishme që një kabinet qeveritar të prodhojë rezultate dhe të ketë një mbështetje sa më të madhe” -tha Bushati, rezervoi të analizojë emra të përveçëm të kabinetit qeveritar.
Si ish-ministër i jashtëm Bushati komentoi edhe vendimin e SHBA për të shpallur non grata ish-kryeministrin Berisha, të cilin e konsideroi një lajm të keq për vendin, ndonëse sanksioni është individual, raporton “BalkanWeb”.
Pjesë nga Intervista:
Ju keni qenë pjesëtar në kabinetin e z.Rama..
Po ndoshta një analist apo një ekspert mund të vijë dhe të bëjë nesër analizën e sektorit që unë kam mbuluar, por nuk më takon mua të vij dhe të bëj analizën e kolegëve të mi, në një studio televizive.
Përqendrohemi te Shkodra, si i komentoni debatet e fundit në mbledhje me strukturat?
Ne kemi nevojë për të përmirësuar më tej mekanizmin se si funksionojnë raportet mes partisë dhe institucioneve përfaqësuese në qeverisjen qendrore dhe vendore. Është një balancë delikate mes aktivizmit politik, mes qëndrueshmërisë së një baze aktivistësh që mbështesin PS dhe nevojës për ta rigjeneruar me njerëz të rinj. Kemi nevojë në këtë kontekst për ta bërë mjedisin partiak dhe më tej mjedisin politik, një hapësirë më të gjerë debati për të diskutuar jo thjesht për punësimet por për politikën shëndetësore, për investimet aty për nevojën për të adresuar më mirë sensibilitetit që mund të kenë komunitete të caktuara. Debatet parësore duhet të jenë debatet që kanë të bëjnë mbi prioritetet dhe politikat. Unë e kam drejtuar PS në qarkun e Shkodrës dhe mund t’ju them që problematikat që kam hasur atje janë të ngjashme me ato që hasen në gjithë territorin e Republikës.
Si e pritët vendimin e shpalljes “non grata” të Sali Berishës?
Është një lajm i keq për vendin, ndonëse sanksioni është individual, bëhet fjalë për një njeri që ka drejtuar Shqipërinë qoftë në pozicionin e presidentit apo kryeministrit. Mund të jetë edhe një mësim i hidhur për të gjitha klasën politike në Shqipëri.
Po vendimin e Bashës për ta përjashtuar nga grupi i PD?
Vendimet janë vendimet të PD, nuk kam dëshirë t’i komentoj. Dua të them se debatet në PD dhe çdo forcë tjetër duhet të jenë të shëndetshme. Sa më e shëndetshme të jetë opozita, aq më shume ka garanci që qeverisja të jetë më e mirë dhe më e përgjegjshme. E them i bindur që sa më shpejt të marrë veten PD, aq më mirë do të jetë për PS dhe për fatet e qeverisjes së vendit, në të kundërt do na duhet të forcojmë shumë sistemin tonë imunitar. Ndoshta nuk jemi mësuar me kulturën e debatit e pikëpamjeve të kundërta edhe brenda forcave tona politike, jam partizan i zhvillimit të debateve ballafaqimit të platformave dhe një rezultati sa më konsolidues.