Bebe Rexha është shumë e dhënë pas traditave shqiptare dhe këtë e tregon sa herë ka mundësi nëpër postimet e saj në rrjetet sociale. Duket se dashuria për vendin e origjinës është e madhe dhe ajo mundohet ta shfaqë atë në forma të ndryshme, qoftë me fjalimet në koncerte dhe e mbështjellë me flamurin kuq e zi, me vallet shqiptare, gatimet tradicionale apo fotot e videot e ndryshme. Ditën e sotme artistja ka postuar në Instagram një foto nga fëmijëria. Ajo shihet me gjyshen e saj në Gostivar, teksa ka shkruar krah postimit: “Unë dhe gjyshja ime e mrekullueshme në Gostivar, Maqedoni, kur isha 4 vjeç”.
Mes shumë komenteve, dikush i shkruan “Hey Bebe. E di që të mungojnë turshitë dhe ajvari.” Ky koment i ka rënë në sy edhe Bebes, e cila ka treguar se porosit ajvar në Los Angeles, ku edhe jeton. “Unë porosis ajvar në shtëpinë time në Los Angeles!”- shkruan ajo.
Pak javë më parë, pyetur rreth traditave dhe kulturës së saj shqiptare në një intervistë, 31-vjeçarja është shprehur se është fanatike e gatimeve tradicionale. Ajo tha: “O Zot i madh, unë e dua ushqimin shqiptar. Me të vërtetë i dua të gjitha ato që përfshihen në kuzhinën tonë tradicionale. Mua më pëlqen shumë ‘bureku’ dhe ‘fasulet’ dhe thjesht e dua shumë ushqimin shqiptar, por ‘bureku’ është i preferuari im. Pastaj më pëlqen ‘flija’, kështu që ato janë të preferuarat e mija dhe ne gjithmonë i bëjmë ato gjatë gjithë kohës në shtëpinë time. Unë di t’i gatuaj. Gjatë karantinës në të vërtetë po mësoja si ta gatuaja. Unë nuk bëra një punë edhe aq të shkëlqyeshme, por ishte në rregull. Por ju e dini, unë gatuaj pjesën më të madhe të kohës vetë, dhe vërtetë e dua ushqimin shqiptar. Unë e dua gatimin, si dashurinë”. /News31