Komisioni Europian nxit Shqipërinë që të vazhdojë përpjekjet për të vendosur një rekord pozitiv në l u ft ën kundër korrupsionit. Pyetur nga “ZonaZero” e Top News për një koment pas dënimit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, zëdhënësja e KE, Anna Pisonero tha:
“Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për të vendosur një rekord solid të hetimeve, gjykimeve dhe dënimit për korrupsion dhe akuza të lidhura me korrupsionin në nivele të larta, përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale”
Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg me akuzën e fshehjes së pasurisë dhe me pesë vite përjashtim nga sistemi i drejtësisë.
Por, ekzekutimi i këtij vendimi mbetet ende pezull, pasi ish-kryeprokurori rezulton i larguar nga Shqipëria mes datave 7 dhe 10 shtator.
Policia ka nxjerrë një urdhër arresti kombëtar ndaj Llallës, ndërsa pritet që shpejt të shpallet edhe në kërkim ndërkombëtar. Sipas disa informacioneve që qarkulluan pas dënimit të tij, herën e fundit ish-kryeprokurori është fotografuar në një stacion treni në Romë të Italisë.
Vendndodhja e tij aktuale mbetet mister.