Pas takimit me kryeparlamentarin e Kosovës, Konjufca, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Pata rastin ta falenderoj dhe t’i shpreh mirënjohjen ministrit Sveçla në emër të Kryeministrit dhe të qeverisë shqiptare, për ndihmën e menjëhershme dhe të pakursyer të Kosovës në përballimin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 si dhe në situatën e krijuar nga zjarret në veri të vendit, si dëshmi se i jemi gjendur e do t’i gjendemi gjithmonë njëri-tjetrit në çdo kohë”, tha Spiropali.

Ministrja theksoi se, “me ministrin Aliu diskutuam rëndësinë e marrëveshjeve midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, projektet madhore infrastrukturore dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë që duhet të vazhdojë intensivisht me të tjera projekte në dobi të të gjithë shqiptarëve”.