Nga Adriatik Doci

Sali Berisha do të nisë këtë të enjte aksionin politik në bazën e Partisë Demokratike me synimin e shpallur për të rrëzuar Lulzim Bashën, të cilin e akuzon për dorëzim të sovranitetit të partisë tek amerikanët, për bashkëpunim me Edi Ramën dhe Sorosin kundër tij, për përdorimin e partisë për interesa personale, shkeljen e statusit, për pesë humbje radhazi etj.

Aksioni i Berishës vjen si lëvizje hakmarrëse ndaj Lulzim Bashës, pas vendimit të personalizuar të këtij të fundit, i cili përjashtoi Berishën nga grupi i PD-së në limitet kohore të skadimit të ultimatumit të SHBA. Për të mundësuar shkarkimin e Bashës, Berisha duhet të sigurojë më shumë se sa gjysmën e Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar të PD-së.

Por, aksioni i Berishës për shkarkimin e Bashës mund të përfundojë me një përjashtim përfundimtar dhe çregjistrim të Sali Berishës nga regjistri i anëtarësisë së Partisë Demokratike, pasi kjo lëvizje është në kundërshtim me statutin e partisë.

Që pas ardhjes në krye të PD në vitin 2013 me ‘bekimin’ e Berishës, Lulzim Basha ka ndryshuar tre herë statusin e Partisë Demokratike,duke fuqizuar gradualisht pozitat e tij në krye të PD-së, duke shtuar kompetenca speciale dhe mbyllur hapësirat për rebelime në parti kundër tij.

Edhe pse rrallëkush mund ta kishe menduar një luftë mes Berishës dhe Bashës për të kontrolluar PD-në, Basha duket se i ka marrë masat me kohë për këtë ditë. Sot Basha është i ‘blinduar’ nga ana statutore dhe kontrolli i strukturave të partisë.

Gjatë ndryshimeve të statutit, Basha ka përfshirë një pikë të veçantë, duke i dhënë vetes fuqi, për të përjashtuar çdo anëtar, edhe pa mbledhur strukturat, në raste emergjente dhe kur anëtari shkel disiplinën e brendshme. Bëhet fjalë për pikën 5 të nenit 27 të statutit të PD-së, e cila parashikon se “Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore”.

Ndërkaq, sa i takon disiplinës së brendshme, anëtarët e PD-së ndalohen rreptësisht që të ndërmarrin veprime, të cilat dëmtojnë Partinë Demokratike. Pika 2 e nenit 13 të statutit të ri të Partisë Demokratik, parashikon që “Çdo vlerësim apo nismë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH-së”.

Me nisjen e lëvizjes nga ana e Berishës duke përçarë partinë dhe për të rrëzuar Bashën, këtij të fundit i lind e drejtat të zbatojë nenin e statutit të PD-së për disiplinën e brendshme, duke përjashtuar përfundimisht Berishën si anëtarë i PD-së. Një vendim i tillë i mundshëm sjellë si rrjedhojë çregjistrimin e Berishës nga regjistri i anëtarësisë dhe bërjen të pavlefshme të teserës së partisë.