Ashtu si në SHBA, ku vaksinimi i detyrueshëm sapo është zgjeruar, një numër në rritje vendesh kërkojnë një certifikatë vaksinimi për kategori të caktuara.

Vaksinimi i detyrueshëm për të gjithë të rriturit Shumë pak vende kërkojnë vaksinim për të gjithë popullsinë e saj të rritur. Ky është rasti në dy shtete autoritare të Azisë Qendrore, Taxhikistan dhe Turkmenistan. Pavarësisht se ishte një nga vendet e pakta që nuk kishte raportuar asnjë rast zyrtar të Covid, Turkmenistani njoftoi më 7 korrik se po e bënte vaksinimin të detyrueshëm për “të gjithë njerëzit mbi 18 vjeç pa kundërindikacione mjekësore”. Në Vatikan, një shënim i 8 shkurtit 2021 e bën vaksinën të domosdoshme për banorët e shtetit më të vogël në botë dhe punonjësit që punojnë atje. Një territor francez në Paqësorin Jugor me një autonomi të gjerë, Kaledonia e Re do ta bëjë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë të rriturit dhe udhëtarët, sipas një vendimi të miratuar më 3 shtator.

I detyrueshëm për kategori të caktuara Detyrimet e vaksinimit për kategori të caktuara profesionale janë shumëfishuar në të gjithë botën gjatë verës. Në SHBA, presidenti Biden e bëri vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit federalë dhe kontraktorët e agjencive federale, personelin në shtëpitë e pleqve, që marrin grante federale dhe shkollat ​​nën kontrollin federal. Në Francë, detyrimi i vaksinimit për personelin në spitale, shtëpitë e pleqve, zjarrfikësit, punonjësit e ambulancës dhe ndihmësit e shtëpive, hyn në fuqi më 15 shtator. Në Greqi, vaksinimi u bë i detyrueshëm për personelin e përkujdesjes për pleqtë më 16 gusht dhe për kujdestarët më 1 shtator. Në Itali, një dekretligj i 25 majit detyron mjekët dhe personelin shëndetësor që të vaksinohen, nën ndëshkimin e mosaftësisë për të praktikuar në kontakt me njerëzit. Vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për këdo që punon në shtëpitë e pensionit që nga 10 tetori. Në BM, vaksinimi do të jetë i detyrueshëm për punonjësit e shtëpive të pleqve nga 11 nëntori.  Londra, gjithashtu, ka nisur një konsultim publik për shtrirjen e detyrimit të vaksinimit në institucionet e tjera shëndetësore.

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban njoftoi më 16 korrik se vaksinimi do të jetë i detyrueshëm për kujdestarët. Kazakistani urdhëroi vaksinimin e detyrueshëm të shumicës së punonjësve në kontakt me njerëzit e tjerë më 1 korrik. Fixhi e ka bërë vaksinimin të detyrueshëm si për punonjësit publikë, ashtu edhe për ata privatë. Në Australi, punonjësit e shtëpive të pleqve do të duhet të kenë marrë të paktën një injeksion deri më 17 shtator. Në Gambia, autoritetet kanë imponuar vaksinimin që nga mesi i gushtit për punonjësit e turizmit. Zimbabve njoftoi të mërkurën se do të detyrojë zyrtarët të japin dorëheqjen, nëse nuk vaksinohen. Në Kanada, qeveria njoftoi më 13 gusht se të gjithë 300 000 zyrtarëve federalë do t’u kërkohet të vaksinohen, si edhe të gjithë udhëtarëve që hipin në trena, avionë ose anije.

Detyrimet e vendosura nga kompanitë Një numër në rritje kompanish të mëdha kërkojnë që të gjithë ose disa nga punonjësit e tyre të japin prova se janë vaksinuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë në SHBA për farmacitë CVS, kompaninë e naftës Chevron, Disney apo edhe bankën Goldman Sachs që nga gushti. Në Australi, linja ajrore Qantas, gjithashtu, detyron vaksinimin për të gjithë personelin e saj.

Jo i detyrueshëm, por pothuajse Në disa raste, vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por detyrimet ose kufizimet për të pavaksinuarit janë shumë bindëse. Arabia Saudite njoftoi më 18 maj se vaksinimi do të ishte i detyrueshëm nga gushti, për të hyrë në objektet qeveritare dhe private dhe se vetëm punonjësit e vaksinuar do të lejoheshin të ktheheshin në vendin e tyre të punës. Në Itali, mësuesit, stafi i shkollave dhe universiteteve, studentët e universitetit duhet, nëse nuk janë të vaksinuar, të japin dëshmi të një testi negativ çdo dy ditë. Detyrime lokale Ka, gjithashtu, shumë raste të detyrimeve të vaksinimit në nivel lokal për profesione, aktivitete të caktuara ose për qasje në shërbime të caktuara. Në Moskë, për punonjësit në sektorin e shërbimeve, në Los Angeles për nxënësit mbi 12 vjeç ose në Kinë për qasje në spitale, shkolla ose transport publik në disa lokalitete. Në disa provinca kanadeze, përfshirë Kebekun, është e detyrueshme të vaksinohesh për të shkuar në një bar, një restorant, teatër ose një klub sportiv mbi 12 vjeç.