Nga Mero Baze

Mënyra se si sot u përkujtua Azem Hajdari është një lexim real fatit të Partisë Demokratike dhe të sotmen e saj.

Të parët shkuan zyrtarët politikë të PD, një brez I ri politikanësh të cilët natyrisht nuk e kanë njohur Azemin as nga afër dhe as kanë ndonjë ndjeshmëri për jetën e tij politike. Jeta tetëvjeçare politike e Azem Hajdarit ka qenë një histori 8 orëshe kundër regjimit komunist, I cili u shkërmoq nga protesta studentore dhe pastaj një betejë tetëvjeçare me Sali Berishën deri momentin kur vdiq.

Beteja e Azem Hajdarit kundër Sali Berishës dhe uzurpimit të PD prej tij është në të vërtet ajo që zbulon identitetin politik të Azem Hajdarit. Ai u përjashtua nga Grupi Parlamentar I Partisë Demokratike prej Sali Berishës, nën akuza të rënda deri dhe si bashkëpunëtor I Sigurimit të Shtetit, kontrabandist, mik I njerëzve të lart të Partisë Socialiste e plotë monstruozitete të tjera dhe ju ribashkua asaj në vitin e fundit të jetës së tij kur PD ishte në opozitë, duke e injoruar këtë histori.

Për këtë arsye Lulzim Basha dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij, sot janë aleatë real të Azem Hajdarit në betejën kundër Sali Berishës. Edhe pse të gjithë sot I shajnë e u thonë nuk keni lidhje me Azem Hajdarin, ata në të vërtet sot më shumë se kurrë kanë një histori të përbashkët me të, por jo një bilanc të ngjashëm me të. Ata i kanë bërë Sali Berishës me të drejt, atë që ai i ka bërë Azemit, pa të drejtë.

Dhe nëse ka një ditë që ata mund të shkonin kryelartë pranë monumentit të Azemit është kjo e sotmja.

Por që të respektosh tërësisht historinë e Azemit, duhet ta pranosh jetën e tij politike ashtu siç ishte. Azem Hajdari për ata që nuk e njohin, ishte njeriu që i qëndroi afër çdo kundërshtari të Sali Berishës në tetë vite derisa ata largoheshin nga PD. Ai ka respektuar çdo disident të PD, çdo kundërshtar të Berishës dhe çdo intelektual apo gazetar që ngrinte zërin kundër tij. Ai ishte mik I gazetarëve të “Koha jonë” në atë kohë, gazeta më e pashpirt kundër Sali Berishës, dhe mik I çdo zëroi kritik ndaj pushtetit.

Ndaj sot për Lulzim Bashën nuk është gabim shkuarja para Azem Hajdarit, por është gabim mungesa e reflektimit të tij për disidencën brenda PD në raport me të dhe Sali Berishën.

Akti I Lulzim Bashës kundër Sali Berishës ka ndarë PD në pjesën tribale të saj dhe pjesën politike. Me Sali Berishën sot është tribuja e shtypit që paguhet nga djali I tij dhe askush tjetër. Gjesti I Lulzim Bashës e ndau për 24 orë tribalizmin nga pjesa politike. Por Lulzim Basha duhet të tërheq pjesën politike pas tij, pikërisht duke reflektuar për disidencën politike brenda PD. Vetëm ky akt e mban larg Berishën nga PD.

Sot është dita kur Lulzim Basha duhet të reflektoj së paku për disidencën e prodhuar në PD gjatë kohës që formalisht ai ka qenë kryetar. Nëse ti shkon para Azem Hajdarit që për tetë vite ishte në luftë me autoritarizmin në PD, dhe vazhdon të etiketosh vajzën e tij që nuk pranoi të digjte mandatin në një aksion politik tërësisht të dështuar të PD, do të thotë që je ende I kompleksuar nga e shkuara e Berishës në PD. Dhe nuk e kam fjalën për Rudinën si vajzë biologjike e Azemit, por të gjithë ato figura politike apo individë të këtyre tetë viteve që janë larguar nga PD për shkak të qëndrimeve kritike me politikën e saj. Të gjithë ata janë akuzuar si bashkëpunëtor të Edi Ramës, po aq banalisht sa akuzohet sot Lulzim Basha nga I njëjti person, Sali Berisha.

Ndaj nëse sot është një ditë reflektimi për Azem Hajdarin, motoja e reflektimit është pikërisht disidenca e Azem Hajdarit ndaj Sali Berishës dhe autoritarizmit të tij e jo lot krokodili për vrasjen e tij. Vrasja u vendos në zyrën e Sali Berishës kur I tha “dil e m’i hiq ata që ke sjell për të më vrarë mua”. Të gjithë tropojanët që ishin atë ditë në selinë e PD e dinin që do të ,vritej Azem Hajdarit përveç Azem Hajdarit, që ndoshta mendonte se mund të vritej Sali Berisha. Janë të njëjtët tropojanë që rrinë në kafet rrotull SHQUP-it dhe i betohen Sali Berishës që “do të vrasin” Lulzim Bashën.

Ndaj nuk ka asgjë të lavdishme në lotët e PD për Azem Hajdarin, që e ka vrarë me dorë të saj. Ka vetëm një moment respekti për të, për atë që ka bërë si disident I PD dhe Sali Berishës. Dhe vetëm kjo justifikon sot foton e Lulzim Bashës para monumentit të tij, nëse do që të mos jetë një pozë false.

Sa më vonë ta bëj Lulzim Basha këtë reflektim, aq më shumë do të zërë vend pastaj fotua numër 2 e ditës së sotme, ajo e Sali Berishës dhe gruas së tij para bustit të Azemit, të dy bashkëpunëtor në nxjerrjen e tij në pritë për ta vrarë dhe të dy urrejtës të mëdhenj të tij. Ata janë përfituesit më të mëdhenj në këtë jetë prej jetës dhe vdekjes së Azem Hajdarit, pasi lëvizja studentore i futi në politikë dhe eliminimi fizik I Azem Hajdarit u hoqi atyre pengesën reale për disidencë brenda PD, dhe më pas u krijoi një alibi për aktet e tyre politike në emër të një vrasje të rënd politike.

Sali Berisha ishte sot para bustit të Azemit jo nga dashuria për të, por nga makthi se mos I del një Azem I ri që të mos e lejoj të hyj në PD. Të parin e luftoi për tetë vite derisa e nxori në prit. Me të dytin është në një betejë të paqartë. Nuk është I sigurt nëse I shkojnë njerëzit nga pas nëse do të kërkoj ta vras dhe këtu i kujtohen këta trimat që kërcënojnë Lulin, mes të cileve shquan ai që i tha Azemit, “zbrit se erdha sa të marr automatikun”. Nga ana tjetër nuk është I sigurt, nëse Basha do ta vras përfundimisht apo do ta lerë me kaq ndëshkimin ndaj tij. Ndaj sot të dy palët, sot duket sikur qajnë fatin e tyre para bustit të Azemit, pa guxuar ti ngjajnë as jetës, as vdekjes së tij. Por i ngjajnë vetmisë së tj para vdekjes.