Përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është një veprim i ulët i kryedemokratit Lulzim Basha. Kështu ka deklaruar në ‘Report Tv’, Bislim Ahmetaj, ish-anëtari Këshillit Kombëtar të PD. Sipas Ahmetaj këtë veprim mund ta bëntë vetëm një mi që rritet në gjirizet e ambasadave, duke etiketuar kështu Bashën.
Ndërkohë që sot shënohet 23 vjetori i ekzekutimit të Azem Hajdarit, demokratët dhe presidenti Ilir Meta kanë përkujtuar këtë ditë të shënuar, por akoma jo lideri historik i PD-së Sali Berisha. Ahmetaj në Report Tv tha se Berisha duhet ta bëjë homazhin në nder të Azem Hajdarit, por përjashtimi nga Grupi Parlamentar i PD-së e pengoi atë që të merrte pjesë në homazh me kryedemokratin, Lulzim Basha.
“Unë besoj se nuk i ka rrëshqitur ai duhet ta kryejë atë ceremoni, ndoshta vjen në darkë tek ne, nuk di ta them. Ai është në momentin e këtyre tre ditëve i përjashtuar nga krijesa e tij, Lulzim Basha. Kjo e pengonte të shkonte me Bashën por kam përshtypjen që ai gjatë ditës do ta vlerësoje, bashkëpunëtorin rival të Sali Berishës. Rival sepse ai është kryetari nismëtar së PD, më pas u bë Aleksandër Meksi dhe më pas Sali Berisha. Ka 8 vjet që ka vënë Bashën, e ka mbrojtur dhe nuk ka lejuar njeri me ja prek dhe tani erdhe edhe fati i tij. Gjesti i Bashës është i ulët që mund ta bëjë vetëm një mi që rritet në gjirizet e ambasadave”, tha Bislimi.
Bislim Ahmetaj foli edhe pengjet e Azem Hjadarit, ku tha se themeluesit të PD-së nuk i është përmbushur ideali i fjalës së lirë, për të cilën ai luftoi aq shumë derisa ishte gjallë.
“Pjesa kryesore është çështja kombëtare Kosovës. Ndoshta është e vetmja gjë e cila i është realizuar. Sot fjalën e lirë nuk e kemi, nuk ka media të lira. Ky ishte një nga njerëzit që e mbrojti fjalën e lire kur po shfaqej shtypi i lirë. Sot shtypi nuk është më i lirë, i kontrolluar nga dy segmente, nga Luzlim Basha dhe Edi Rama. Kishte sindikata por nuk kishte sindikalizëm. U ndodh në një aksion politik që të zhvillonte sindikalizmin. Vranë Azem Hajdarin, ka vdekur edhe sindikalizmi. Kemi një shtresë që janë ende të përndjekur, Azem Hajadri u fut në grupin e tyre për t’iu dalë në mbrojtje. Ata sot e kësaj ditë nuk janë të vlerësuar. Sot për sot bashkë më vrasjen e Hajdarit kanë vdekur edhe këto ideale e nisma të tij, që nuk ka kush i mbron”, u shpreh Ahmetaj.
Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në kufijtë e limitit kohor, një ditë përpara se të mbahej legjislatura X e Kuvendit. Basha dekalaroi se këtë vendim e mori në mënyrë personale, pasi sipas tij nuk donte të nxiste përçarje në parti.
Për këtë vendim, Sali Berisha ka deklaruar se është njoftuar 30 minuta para se Basha ta bënte publike, megjithëse shtoi se nuk ishte i papërgatitur duke sqaruar se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të shfrytëzojë influencën e tij “për t’i rikthyer sovranitetin PD-së” duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së drejtimit të kësaj force politike.