Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi përuruan shkollën e parë nga 10 shkollat që do të hapen këtë vit shkollor në Tiranë. Fjala është për shkollën e re 9-vjeçare në Mangull të Petrelës, e cila do të mbajë emrin “Feti Fanaj”, i cili humbi jetën nga Covid 19 një vit më parë.
“Do të hapim 10 shkolla dhe 2 kopshte të reja. Në 101 vjet kryeqytet i Shqipërisë, nuk kemi pasur një vit ku mund të jenë hapur më shumë shkolla dhe kopshte se viti 2021. Kjo shkollë është e para nga një seri shkollash që do të hapen këtë vit. Është diçka fantastike, ndaj mezi pres që të gjithë bashkë të shijojmë të gjitha shkollat e reja dhe më në fund t’i themi lamtumirë mësimit me dy turne dhe kushteve të vështira që kemi pasur në arsimin shqiptar”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku sqaroi edhe domethënien e emrit të shkollës më të re në kryeqytet, e cila do të mirëpresë 240 nxënës. Ai shtoi se shërbimi dhe cilësia e punimeve janë njësoj si në shkollat në qendër të Tiranës, ashtu edhe në periferi të saj.
“Fetiu jetonte çdo ditë sikur të ishte dita e fundit, me përkushtimin sikur të ishte mundësia e fundit për të bërë mirë”, tha ai. “Për ne nuk ka qendër dhe periferi. Kjo është Republika e Shqipërisë. Sa të kemi fuqi dhe besimin e njerëzve në çdo cep ku të kemi mundësi të shërbejmë, do të shërbejmë me dinjitet dhe me të njëjtën cilësi”, deklaroi Veliaj.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi vlerësoi Bashkinë e Tiranës për rëndësinë që i ka dhënë arsimit në vend me ndërtimin e shkollave të reja me kushte moderne dhe bashkëkohore. “Dua të falenderoj shumë përzemërsisht Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin sepse arsimit dhe infrastrukturës shkollore i japin një vëmendje të veçantë”, tha Kushi.
Shkolla 9-vjeçare “Mangull” është e ndarë në 3 korpuse. Korpusi më i madh është palestra, me 2 kate lartësi. Mbi të është zhvilluar një kat me laboratorë. Ndërsa, dy korpuset e tjera janë të ndara, përkatësisht, parashkollori dhe në katet e tjera 8 klasa me nga 24 nxënës.