Rinia nuk është e përjetshme dhe plakja është një proces natyral që nëse përqafohet, nuk ka pse të jetë e frikshme. Por ky proces natyral ndikohet nga disa faktorë të jashtëm, të cilët mund të kontrollohen për të qenë në ritëm me orën biologjike. Pra, e thënë shkurt, mos t’i lejojmë disa zakone të përditshme ta përmbyllin procesin përpara kohe.
Ekspozimi ndaj ekraneve-Ndonëse në ditët e sotme, ekranet e celularëve dhe laptopëve na rrethojnë dhe na mbajnë të ngujuar përpara tyre, drita blu që rrezatojnë, përshpejton plakjen. Jo vetëm në dukje, por gjithashtu shkatërron qelizat e trurit dhe syve. Për ta minimizuar, përpiqunu të keni sa më shumë dritë natyrale gjatë ekspozimit ndaj tyre, të limitoni kohën dhe të përdorni syze me xhama anti-refleks.
Ushqimet e përpunuara-Sheqernat e tepërta dhe karbohidratet e rafinuara jo vetëm ulin energjinë, por thyejnë lidhjet e shëndetshme të kolagjenit dhe elastinës, proteinave që sigurojnë rini. Frutat dhe perimet ndihmojnë në ngadalësimin e plakjes së parakohshme.
Stresi kronik-Stresi kronik të plak para kohe dhe shkurton jetëgjatësinë. Kjo në kuptimin e plotë të fjalës, pasi ai këput zgjatimet e telomereve, strukturat brenda çdo qelize të cilat përmbajnë ADN. Telomeret lindin të gjata dhe shkurtohen me moshën. Ky është kuptimi i plotë i plakjes, por shkurtimi përpara kohe i telomereve rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe kancerit.
Pamjaftueshmëria e gjumit-Gjumi është momenti kur organet jetësore riparojnë veten. Kjo është arsyeja pse gjumi i pakët të plak përpara kohe, ti nuk i jep kohë mjaftueshëm trupit tënd të kryejë procesin e tij. Tek të rriturit, e sidomos ata në moshë, mjafton vetëm një natë pa gjumë të mirë që të shkaktojë plakje të shpejtë të qelizave.