Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen do të vizitojë Tiranën ditën e sotme në kuadër të një turi vizitash në Ballkanin Perëndimor.
Von der Leyen do të jetë në Ballkanin Perëndimor deri të enjten për të vizituar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Vizita e saj nis në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta.
Ditën e sotme, në orën 08:50 fillimisht do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin e Brigadave dhe më pas do të zhvillohet një takim me kryeministrin Edi Rama. Në orën 10:50 Von der Leyen do të jetë e pranishme edhe në inagurimin e shkollës “Korb Muca” dhe kopshtit “Europa” që u rindërtua nga fondet e BE pas tërmetit të 2019. Ndërsa në orën 11:15 do të ketë konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.