Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka komentuar deklaratat që ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim dha pas takimit me kreun e PD, Lulzim Basha. Sipas tij mesazhet që dha diplomatja amerikane ishin të forta, të pazakonte dhe shpresëdhënëse për Partinë Demokratike, ndërsa thekson se ishin një lajm i keq për kryeministrin Edi Rama, pushtetin e të cilit e krahasoi me atë të ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski.
Teksa i referohet vendimit të Bashës, që përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar, Gjekmarkaj shprehet se nuk kishte një tjetër shteg nga ku mund të kalonte PD dhe Kryetari i saj. “SHBA nëpërmjet zërit të Zonjës Kim deklaruan mbështetje për PD dhe vendimet e Bashes madje dhe gatishmëri për të festuar fitoren e PD në zgjedhje. PD, trupa drejtuese e kryesisht anëtarësia e saj duhet të përballen me të vërteten e cila është e dhimbshme por dhe e vetme! Nuk ka dy të vërteta për një çështje. Nuk kishte një tjetër shteg nga ku mund të kalonte PD dhe Kryetari i saj. Ambasada e SHBA ktheu mbrapsht çdo aludim për dëmtim të demokracisë në PD me ndërhyrjet e saj duke e konsideruar atë fyes”, thotë Gjekmarkaj.
Një përgjigje, deputeti demokrat kishte edhe për kritikët e Bashës: “Mblidhen e flasin duke mos zënë me gojë vendimin ultimativ të SHBA për Sali Berishen të cilin nuk ka kellqe askush ta komentojë. Sido që na është dukur i gabuar dhe i padrejtë ai është vendimi i tyre të cilin ne nuk e negociojnë dot! Ai mund të refuzohet vetëm me koston e shndërrimit të PD në një parti antiamerikanë!”
Reagimi i plotë i Agron Gjekmarkajt Mesazhi i Ambasadores Kim dhe nevoja për të parë të vërteten në sy ! Dje e sapo kthyer nga Uashingtoni Ambasadorja Juri Kim trokiti në derën e Lulzim Bashes. Mesazhet e saj ishin të forta, të pazakonta , mbresëlënëse dhe shpresëdhënëse për PD e cila po kalon ditë të vështira dhe emocionale. SHBA nëpërmjet zërit të Zonjës Kim deklaruan mbështetje për PD dhe vendimet e Bashes madje dhe gatishmëri për të festuar fitoren e PD në zgjedhje. PD, trupa drejtuese e kryesisht anëtarësia e saj duhet të përballen me të vërteten e cila është e dhimbshme por dhe e vetme! Nuk ka dy të vërteta për një çështje. Nuk kishte një tjetër shteg nga ku mund të kalonte PD dhe Kryetari i saj. Ambasada e SHBA ktheu mbrapsht çdo aludim për dëmtim të demokracisë në PD me ndërhyrjet e saj duke e konsideruar atë fyes.
PD sot i është rikthyer fuqishëm aleancës historike e strategjike me SHBA jetike kjo për cilësinë e demokracisë në këtë parti dhe në vend, por mbi të gjitha jetike për të çmontuar kapjen e shtetit në çdo qelizë nga pushteti mafioz i Edi Rames. Deklaratat e mbështetjes totale që PD mori dje nga Yuri Kim janë lajmi më i keq për Edi Ramen dhe urdinë e tij që i shkon nga pas në këto tetë vjet. Ne e dimë si u çmontua neodiktatura e Gruevskit në mandatin e saj të tretë me mbështetjen e ndërkombëtareve, të cilët i lëshuan në dorë dhjetëra “bomba” Zoran Zaevit me të cilat e shkërmoqi çdo tullë autoritarizmi që dukej aq solid nga jashtë. Mos harroni që Edi Rama bëri masaker zgjedhore ! Mos harroni që 85 mijë vota dolën të pavlefshme dhe pos kësaj diferenca e tij në vota me Opozitën është vetëm 37 mijë. Ky është një pushtet ilegjitim i cili i ka rrënjët në kënetën e krimit dhe të trafikut. Mos mendoni që demokracitë perendimore e tolerojnë pafund korruptimin e demokracisë në vendin tonë anëtar i NATO-s. Gjëndja e krijuar në PD është pasojë e vendimit të marrë nga SHBA dhe spostimi i fokusit mbi probleme të tjera është artific që nuk i përgjigjet realitetit!
Çdo lëvizje sado e mbeshtjellë me zhargon tjetër në thelb ofron konflikt me SHBA-të. Shumë prej atyre që po kritikojnë Bashen të cilët kanë patur karriere të gjatë më shumë seç duhet në PD, për zgjedhjen e tij të kushtëzuar dikur himnizonin çdo qëndrim a deklaratë të Ambasadës në funksion të raportit antagonist që kishin me Bashen. Sot e injorojnë si realitet a thua se nuk ka ndodhur apo nuk ekziston qëndrimi i tyre! Në çdo debat nuk e zënë me gojë vendimin Amerikan dhe cila ishte zgjidhje për të ndërsa gjykojnë vendimin e Bashes duke u kapur tek forma dhe jo thelbi. Mblidhen e flasin duke mos zënë me gojë vendimin ultimativ të SHBA për Sali Berishen të cilin nuk ka kellqe askush ta komentojë. Sido që na është dukur i gabuar dhe i padrejtë ai është vendimi i tyre të cilin ne nuk e negociojnë dot! Ai mund të refuzohet vetëm me koston e shndërrimit të PD në një parti antiamerikanë!
Çdo forme tjetër është hipokrizi dhe benzinë në zemërimin e Sali Berishes. Personalisht persa me takon i jam bashkuar vonë formalisht PD paçka se prej vitesh kam mbështetur kauzat e saj opozitare dhe të së djathtës në përgjithësi, por do preferoja ta shihja përsëri veten jashtë saj nëse ajo perceptohet si antiamerikane nga vetë SHBA-të, sepse nuk mjafton ajo çka mendojmë ne për veten. Ky nuk është nënshtrim as servilizem por interes madhor i PD dhe vendit tonë në optiken time. Përtej kësaj ndjesie jam i bindur që shumë shpejt PD do të kalojë këtë traumë dhe në sintoni me aleatet strategjikë SHBA në krye do ti japë këtij vendi ndryshimin duke e çliruar nga tirania e zgjedhjeve të vjedhura , banaliteti i korrupsionit dhe mecenati i krimit!