Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu në prezantimin e programit për mbrojtjen sociale, ka vënë theksin tek zgjerimi i skemës së mbështetjes së familjeve dhe individëve në nevojë dhe rritjen e aksesit të tyre në punësim.
“Do të zgjerojmë skemën e mbulimit të familjeve dhe individëve në nevojë si dhe rrisim aksesin në punësim, nëpërmjet programit “Mbështetje për Ri-integrim”, i cili nga ana e vet, do të plotësohet nga programi “Shqipëria Punon”, duke përmirësuar lidhjen me skemat e punësimit, me shërbime të integruara, për të arritur daljen nga skema e Ndihmës Ekonomike”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e vuri theksin edhe tek reforma e aftësisë së kufizuar, si një shtyllë e rëndësishme e programit të mbrojtjes sociale të qeverisë.
“Do të finalizojmë shtrirjen e Reformës së Aftësisë së Kufizuar bazuar në vlerësimin e ri bio-psikosocial, duke siguruar pagesat financiare dhe mbështetjen sociale për personat me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.
Duke e konsideruar si një program universal për familjet, Manastirliu tha se të vijojë mbështetja e mbi 30 mijë fëmijëve të porsalindur çdo vit, duke financuar Programin e Bonusit të Bebes.
Në prezantimin e programit të qeverisë për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale, ministrja Manastirliu u ndal tek mekanizmi I Fondit Social, i cili do të mundësojë shërbime të reja në të githë territorin.
“Nëpërmjet Fondit Social, do të zgjerohet rrjeti i qendrave dhe shërbimeve të reja në territor për fëmijët, gratë, personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit në nevojë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe do të mbështetet krijimi i 11 ndërmarrjeve sociale me qëllim mbështetjen e grave dhe vajzave”, tha Manastirliu.
Duke folur për barazinë gjinore dhe parandalimnë e dhunës me bazë gjinore, Manastirliu u shpreh: “Ne do të vijojmë vendosmërisht të vlerësojmë barazinë gjinore, si kusht të domosdoshëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, do të punojmë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje duke fuqizuar gratë dhe vajzat. Programi ynë do të mbështesë strategjitë dhe do të ndërmarrë veprime kundër të gjitha formave të diskriminimit racor, seksual dhe gjinor dhe do të sigurojë garantimin e të drejtave të barabarta”.