Capital T është një nga reperët më të preferuar, sidomos nga gjinia femërore. Ai vihet shpesh në qendër të vëmendjes për jetën e tij personale, ndërkohë që ai vetë tregohet përherë mjaft i rezervuar.

Së fundmi ai ka qenë i ftuar në emisionin “Robi plaket kur don vet” me Robert Berishën ku dhe foli për jetën e tij sentimentale si dhe planet e tij për martesë.

Reperi u shpreh se për momentin është “single”, ndërsa përsa i përket martesës, sipas tij nuk është ende koha e duhur për ta marrë atë hap.

“Thjesht nuk i ka ardh koha, ajo është me ndjenjë nuk është se e ki të përcaktuar, jeta shumë e ngarkuar nuk e ki kohën me ja dediku dikujt qysh duhet. Besoj zoti e ka shkru një fat për mu edhe kurdo që vjen mirësevjen”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, në këtë bisedë Capital T foli edhe për artistët të cilët shfrytëzojnë lajmet nga jeta private me qëllim që të ngrihen në karrierë, ndërkohë që ai vetë tha se nuk e kishte bërë kurrë diçka të tillë.

“Ka shumë artista që i kanë përdo qito sene për me bo bujë me tërheq vëmendje por unë skam qenë prej atyre”, tha Kapo.