Kryeministri Edi Rama ka marrë urime nga mjaft personalitete vendas e të huaj për mandatimin në kët post për herë të tretë.

Urimi i radhës për kryeministrin Rama vjen nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, faktor mjaft i rëndësishëm i shqiptarëve të Maqedonisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Ahmeti i drejtohet Ramës me fjalët: të përgëzoj dhe të uroj shumë shëndet dhe një mandat të mbarë e me plot suksese për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithë rajonin.

Postimi i plotë:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i dashur Edi
fitorja e zgjedhjeve parlamentare dhe mandati i fituar me votat e qytetarëve mori formën e vet përfaqësuese dhe përmbajtësore me përbërjen e re parlamentare dhe kabinetin e ri qeveritar.
Të përgëzoj dhe të uroj shumë shëndet dhe një mandat të mbarë e me plot suksese për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithë rajonin.
Shqiptarët të dhanë besimin për t’ju prirë dhe për të vijuar me punën për ta bërë Shqipërinë europiane dhe unë nuk kam as të vetmin dyshim që do t’ia arrish.
Uroj edhe ministrat e sapozgjedhur të qeverisë me dëshirat më të sinqerta për suksese në mandatin e tyre.