Ambasadorja Kim ka shpalosur dhe disa qëndrime në lidhje me qeverinë Rama. Kim u shpreh për Zërin e Amerikës se mandati i tretë i fituar nga Rama e vendos atë para një përgjegjësie të jashtëzakonshme. Më tej ambasadorja shprehet se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit.
Kim: Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht,” pra *performanca në nivel mesatar nuk mjafton. *
-Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten.
-Zëri i Amerikës: Sondazhi i fundit e Dhomës amerikane të Tregtisë, tregon një rënie në nivelet e vitit 2012. Ata flasin për problem me taksat, me monopolet, me prani të asaj që njihet si oligarki.
Ambasadorja Kim: Mendoj se është diçka e mirë që Kryeministri ka ngritur një forum ku dhomat e ndryshme të tregtisë, jo vetëm amerikane, por italiane, gjermane, një numër dhomash të tjera, bëhen bashkë për të ndarë idetë e tyre dhe, në fakt, në disa raste, për të paraqitur kërkesat e tyre.
Pra, gjykatat duhet të jenë të pastra. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kalojnë vettingun. Rregullat duhet të jenë të qarta dhe proceset duhet të ndodhin në kohë dhe duhet të jenë të efektshme dhe, në fund të ditës, mendoj se barra i bie qeverisë që të demonstrojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin, që sigurojnë që reforma në drejtësi zbatohet shpejt, dhe që të bëjë të qartë se cilat janë rregullat dhe procedurat dhe, përsëris si në fillim, të drejtat e pronësisë qëndrojnë në thelb të kësaj.
-Zëri i Amerikës: Zonja Kim, si i përgjigjeni ju kritikave, që ju shohin më të afër me qeverinë?
Ambasadorja Kim: Mua më ka dërguar Presidenti amerikan për të përfaqësuar interesat tona pranë qeverisë shqiptare. Pra, ka një arsye që kur vjen një diplomat amerikan, ai ose ajo shkon tek kreu i shtetit dhe paraqet letrat kredenciale. Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune.
Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Prandaj takohem kaq shpesh me anëtarët e opozitës, qoftë zotin Basha apo një numër njerëzish të tjerë.