Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka konfirmuar se po kryen fluturime me ndihma humanitare nga Islamabad në Pakistan në qytetet afgane të Mazar-i-Sharif dhe Kandahar. Një zëdhënës i OKB-së u tha gazetarëve se tre avionë kishin zbritur tashmë në Mazar-i-Sharif që nga 29 gusht. Këto fluturime do t’i mundësojnë 160 organizatave humanitare të vazhdojnë punën e tyre në Afganistan, tha ai.
Edhe para marrjes së vendit nga talebanët, Afganistani ishte shumë i varur nga ndihma, me 40% të PBB -së së vendit të marrë nga financimet e huaja, raporton AFP. Ofensiva e talebanëve ka shkaktuar një eksod të ri; sipas agjencisë së OKB -së për refugjatët, mbi gjysmë milioni afganë janë zhvendosur brenda këtij viti.
Vendi tashmë po luftonte me një thatësirë të zgjatur dhe pandemia e koronavirusit ka sjellë sfida të reja. Shumica e organizatave të ndihmës kanë thënë se synojnë të qëndrojnë në Afganistan për të vazhduar punën e tyre atje, pavarësisht trazirave të fundit politike. Zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Florian Seriex tha se marrja e Afganistanit nga talebanët nuk kishte ndryshuar marrëdhëniet e ICRC me grupin dhe “situata aktuale nuk ndryshon mënyrën se si ne kërkojmë të veprojmë”.