Duke filluar nga sot të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, edhe ato jashtë vendit do të mund të regjistrohen në atë që quhet regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, banesave dhe amvisërive. Enti Shtetëror i Statistikave në Shkup ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe deklaron janë gati për ta zbatuar operacionin statistikor, pasi ka përfunduar edhe trajnimi i instruktorëve rajonal dhe regjistruesve. Kreu i Entit Shtetërore për Statistika, Apostoll Simovski në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve tha se institucioni që ai drejton pritet të jep rezultatet përfundimtare të operacionit statistikor brenda katër muajve.
Procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të mund të regjistrohet online edhe diaspora. Në diasporë deri më tani ka rreth 191.000 persona të regjistruar. Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë pothuajse 20 vjet më parë, ndërsa në vitin 2011 i njëjti dështoi që në nisje. Ndryshe, qytetarët që jetojnë jashtë vendit, e që nuk kanë mundësi të regjistrohen përmes aplikacionit online, nga sot do të mund të regjistrohen nga familjarët ose të afërmit e tyre në Maqedoninë e Veriut, që i dinë të dhënat për personin në fjalë.
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u shty për në shtator në fund të muajit mars. Kjo pas takimit të zhvilluar sot mes Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Sipas marrëveshjes regjistrimi në terren pritet të realizohet nga 5 deri në 30 shtator, ndërsa aplikacioni për regjistrimin e diasporës mbetet aktiv deri atëherë.
Vetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një mesazhi në Facebook gjatë muajit mars apeloi të gjithë shqiptarët shtetas të Maqedonisë së Veriut që të regjistrohen sa më parë online në këtë adresë. Sipas tij shqiptarëve nuk i duhet më të marrin armët e të dalin malit për të bërë një gjest heroik për vendin e tyre por mjaftojnë 5 minuta para kompjuterit.