31 gusht ishte një çmenduri për shumë klube të cilët nxituan për të mbyllur marrëveshjet, disa ia arritën qëllimit, të tjerë dështuan, ndërsa takimi i radhës tashmë është në janar, një tjetër dritare për të plotësuar grupin apo për të korrigjuar gabimet e bëra. Serie A nuk zhgënjeu as këtë herë, lëvizje pafund, por tashmë është koha për të bërë disa bilance. Në mënyrë surprizë, sipas mediave italiane, Roma është ekipi që lëvizi më mirë në këtë sesion. Kryeqytetasit e nisën me një goditje të madhe, siguruan shërbimet e Jose Mourinho, një nga trajnerët më të kërkuar. Blerja më e rëndësishme dhe më e kushtueshme ishte ajo e Abraham, sulmuesi po vërteton në këtë fillim sezoni se është një goditje e gjetur, nota 7.5.
Milan, ishte një tjetër klub që lëvizi mirë në këtë sesion. Maldini e Massara e gjetën veten shpejt nën presion pas largimeve të Donnarumma dhe Calhanglu. Dy lojtarët u zëvendësuan nga Maignan dhe Messias. Bakayoko, Florenzi, Adli dhe Giroud konsiderohen si blerje të rëndësishme, nota 7.
Inter, u larguan dy lojtarë shumë të rëndësishëm, Lukaku dhe Hakimi por me një buxhet të limituar, Moratta arriti të sigurojë shërbimet e Correa dhe Dumfries, dy zëvendësime kokë më kokë, kësaj liste i shtojmë edhe Dzeko e Calhanoglu, ndërsa arritën të bindin Martinez të rinovojë, i njëjti diskutim pritet të jetë edhe për Brozovic e Barella, nota 6.5.
Nga bigët italian, ekipi më pak aktiv ishte Juve. Kur firmosi me Zonjën e Vjetër, Allegri kishte në dispozicion C.Ronaldo, portugezi u largua ndërsa si zëvendës iu ofrua Kena. Dështoi pista Pjanic ndërsa Locatelli dhe Kaio Jorge mbeten për tu parë se si do të përshtaten, nota 5.5