Kreu i Parlamentit Evropian Davide Sassoli ka parashikuar anëtarësim më të shpejtë të Shqipërisë në BE në një kohë më të shkurtër sesa mendohej deri tani.
‘Ne jemi të vetëdijshëm për progresin e bërë nga Shqipëria, nga qeveria shqiptare. Më duhet të them se këtu në Parlamentin Evropian jemi të kënaqur me këto arritje. Evropa po ju ndjek me pasion. Rezultatet e arritura janë me të vërtetë inkurajuese. Ne vëmë bast për anëtarësimin tuaj në BE, madje edhe me ritme të shpejta sesa ato që janë parashikuar deri më tani’, tha Sassoli.
Sassoli e vë theksin tek reformat që duhet të plotësojë vendi ynë për të arritur këtë objektiv madhor.
‘Natyrisht e dimë mirë që ka nevojë për përmirësime për objektiva që duhen arritur për disa reforma që vendi ka nevojë. Gjithsesi kemi vënë re një përkushtim të vendosur. Ka një dëshirë të madhe për të hyrë në BE, por duhet ende punë për të plotësuar të gjitha ato elemente që kërkohen’.
Mesazhi i kryeparlamentarit evropian vjen para mbledhjes së ministrave të Jashtëm evropiane dhe samitit të 6 Tetorit në Slloveni ku pritet të gjenden rrugët për të zhbllokuar veton bullgare që mban peng jo vetëm drejtëpërsëdrejti Shkupin, por po ndikon edhe tek nisja zyrtare e negociatave me Tiranën.